Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime, në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, të respektojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve gjatë sezonit veror.
Apeli përfshin të gjitha bizneset që janë në kontakt me ushqimin, duke nisur nga prodhimi, përpunimi, ruajtja, transporti, deponimi dhe shpërndarja, deri te tregtimi. Po ashtu, ai vlen edhe për sektorin e gastronomisë, përfshirë restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe subjektet e tjera ushqimore.
Sipas AUV-së, rritja e temperaturave gjatë verës shton rrezikun për prishjen e produkteve ushqimore, ndaj është e domosdoshme që ato të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, të kontrollohen rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të zbatohen masat e vetëkontrollit.
“Me rritjen e temperaturave gjatë sezonit veror është thelbësore që produktet ushqimore të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, të kontrollohen rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të zbatohen me përpikëri masat e vetëkontrollit,” thuhet në njoftimin e AUV-së.
Agjencia u ka bërë apel edhe qytetarëve që të kenë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore, transportit të tyre deri në shtëpi dhe ruajtjes në kushte të përshtatshme deri në konsumim. Sipas saj, çdo produkt që kërkon kushte të veçanta ruajtjeje i ka temperaturat e deklaruara në etiketë.
AUV thekson se produktet me prejardhje shtazore janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, por kujdes duhet të tregohet edhe për produktet e tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të caktuara, pasi jetëgjatësia e tyre varet drejtpërdrejt nga kushtet e ruajtjes.
“Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë helmimet ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve,” thekson AUV.
Agjencia ka bërë të ditur se gjatë muajve të verës do të intensifikojë kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Asnjë shkelje nuk do të tolerohet,” paralajmëron AUV, duke bërë të ditur se inspektimet do të shtohen gjatë gjithë sezonit veror.

