Një kornizë e propozuar negociatash mes Iranit dhe Omanit do të kërkojë që anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit të paguajnë tarifa për një sërë shërbimesh detare, ndërsa në të ardhmen do të zëvendësojë korsitë ekzistuese veriore dhe jugore të lundrimit me një korridor të menaxhuar në mënyrë qendrore, sipas një burimi të informuar në Ministrinë e Jashtme të Iranit, transmeton Anadolu.
Burimi i ka thënë agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Fars se gjatë një periudhe fillestare tranzicioni, anijet do të hyjnë në Ngushticën e Hormuzit përmes korsisë veriore të lundrimit pranë bregdetit të Iranit dhe do të dalin përmes korsisë jugore pranë bregdetit të Omanit.
Pas periudhës së tranzicionit, qarkullimi në të dyja korsitë veriore dhe jugore do të ndalojë, ndërsa të gjitha anijet do të kalojnë përmes një korsie qendrore të lundrimit. Sipas propozimit, trafiku hyrës do të menaxhohet nga Irani, ndërsa trafiku dalës do të menaxhohet bashkërisht nga Irani dhe Omani.
Burimi ka thënë se anijet që kalojnë nëpër ngushticë do të detyrohen të paguajnë tarifa në formën e pagesave për shërbimet e ofruara.
Këto shërbime do të përfshijnë sigurimin, furnizimin me karburant, mbrojtjen e mjedisit dhe mbështetje të ngjashme detare, ka thënë burimi.
Burimi ka hedhur poshtë raportimet se Irani dhe Omani kanë mosmarrëveshje lidhur me vendosjen e një tarife prej 7 për qind ose 3 për qind të vlerës së ngarkesave të anijeve, duke i cilësuar këto raportime si të pasakta.
Në vend të kësaj, tarifat e mbledhura nga anijet do të ndryshojnë në varësi të disa faktorëve, përfshirë gamën e shërbimeve që Irani është në gjendje të ofrojë, ka thënë burimi.

