RTV AHIRETI
LajmeOpinioneRajon dhe Botë

Pse Amerika duhet ta lëshojë Lindjen e Mesme

pse-amerika-duhet-ta-leshoje-lindjen-e-mesme

Lufta e dështuar me Iranin duhet të nxisë një tërheqje të vonuar prej kohësh

Nga Michael Fuchs

Lufta me Iranin është një katastrofë e përmasave epike. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një fushatë të panevojshme, e cila ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ka vrarë të paktën 1700 civilë iranianë (mes tyre 307 fëmijë), ka shkaktuar dëme të gjera në infrastrukturën civile dhe e ka thelluar trazirën rajonale. Hakmarrja e Iranit ka vrarë 18 ushtarë amerikanë dhe ka plagosur mbi 600 të tjerë në bazat e vendeve fqinje, ndërsa njerëzit anembanë botës ende po përjetojnë pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë, të shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Kjo luftë është pasoja më e fundit e një vargu zgjedhjesh politike amerikane gjatë 35 vjetëve të fundit, të cilat i kanë bërë Shtetet e Bashkuara më pak të sigurta dhe e kanë përshkallëzuar konfliktin në mbarë Lindjen e Mesme. Këto dështime burojnë nga prania ushtarake amerikane në rajon, e cila ka ushqyer bindjen e gabuar të Uashingtonit se, për të mbrojtur sigurinë amerikane, duhet të nisë vazhdimisht luftëra dhe të ndërhyjë në konfliktet ekzistuese. Edhe vendet pritëse, duke mirëpritur bazat dhe trupat amerikane në territorin e tyre, janë bërë më të cenueshme — të ekspozuara ndaj sulmeve të drejtpërdrejta nga Irani dhe grupet e mbështetura prej tij.

Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë vepruar sikur prania e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme të ishte e domosdoshme për interesat strategjike amerikane dhe sigurinë rajonale. Ato janë përpjekur të mbrojnë partnerë si Izraeli dhe shtetet e Gjirit, të frenojnë Iranin e kundërshtarë të tjerë dhe të luftojnë terrorizmin. Në praktikë, pozicionimi ushtarak amerikan ka kontribuar në paqëndrueshmëri dhe shkatërrim. Askund nuk duket kjo më qartë sesa në fushatën kundër Iranit: lufta ka prodhuar pikërisht ato rreziqe që synonte t’i parandalonte.

Ka ardhur prej kohësh çasti që Shtetet e Bashkuara t’i tërheqin forcat e tyre nga Lindja e Mesme, të ndalojnë armatosjen e qeverive që shkelin ligjin amerikan dhe atë ndërkombëtar dhe t’i japin fund rolit të tyre si garantuese e rendit rajonal. Kjo do ta çlironte Uashingtonin që të përqendrohej te objektiva me përparësi më të lartë, përfshirë parandalimin e një lufte mes fuqive të mëdha në Azi dhe Evropë.

Gjak dhe pasuri

Ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh të angazhuara në Lindjen e Mesme, ishte Lufta e Gjirit e viteve 1990–1991 ajo që e ngurtësoi rolin ushtarak amerikan në rajon. Ajo që nisi si kulmi i fuqisë amerikane të pas Luftës së Ftohtë — organizimi i një koalicioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund pushtimit të Kuvajtit nga presidenti irakian Sadam Husein — u shndërrua në një detyrim shumëdekadësh. Administratat pasuese kanë mbajtur dhjetëra mijëra ushtarakë në rajon, të bindura se një forcë e përhershme do të mbronte rrjedhën e lirë të energjisë, do të mbështeste Izraelin, do të luftonte grupet terroriste dhe do të frenonte Iranin. Aktualisht, rreth 2000 trupa qëndrojnë në Irak; 2300 në Arabinë Saudite; 3 mijë e 500 në Emiratet e Bashkuara Arabe; 4 mijë në Jordani; 8 mijë në Bahrejn; 10 mijë në Katar; dhe 13mijë në Kuvajt. Shifrat e sakta dhe vendndodhjet kanë ardhur e kanë ikur me vitet, por kjo prani ka mbetur e stërmadhe, e shpërhapur dhe thellësisht e rrënjosur.

Megjithatë, një gjurmë ushtarake mund të kthehet vetë në barrë, duke i ekspozuar vendet pritëse ndaj hakmarrjes dhe duke i tërhequr Shtetet e Bashkuara në konflikte vendore. Me baza të shpërndara anembanë rajonit, kërcënimet ndaj interesave amerikane janë të përhershme — dhe secili prej tyre bëhet një argument i ri për zgjerimin e pranisë. Pushtimi amerikan i Irakut pas ndërhyrjes së vitit 2003, për shembull, jo vetëm i zhyti forcat amerikane në një konflikt të gjatë e të përgjakshëm, por i bëri ato edhe të cenueshme ndaj milicive të mbështetura nga Irani, duke shkaktuar operacione hakmarrëse amerikane në Irak, Siri e gjetkë. Ndërkohë, lufta në Afganistan u derdh edhe në Pakistan, ku Shtetet e Bashkuara kryen qindra sulme me dronë kundër militantëve që godisnin trupat amerikane përtej kufirit. Pasi u shkëputën në pjesën më të madhe nga Iraku në vitin 2011, Shteteve të Bashkuara iu desh t’i rikthenin trupat në vitin 2014 për të luftuar Shtetin Islamik (ISIS), i cili doli pikërisht nga kaosi i paspushtimit.

Kostoja ka qenë e rëndë. Shtetet e Bashkuara shpenzuan 8 trilionë dollarë duke luftuar në Afganistan, Irak dhe fronte të tjera, si pjesë e “luftës kundër terrorit” pas 11 shtatorit. Sipas kërkimeve të Universitetit Brown, rreth tre milionë amerikanë shërbyen në ato konflikte, në të cilat u vranë mbi 15 mijë ushtarakë e kontraktorë dhe 1.8 milionë trupa mbetën me aftësi të kufizuara. Njerëzit anembanë rajonit i kanë vuajtur — dhe vazhdojnë t’i vuajnë — pasojat. Mbi 940 mijë vetë kanë vdekur nga dhuna e drejtpërdrejtë, mes tyre 432mijë civilë; 3.6 milionë kanë vdekur nga efektet e tërthorta të shembjes së shtetit në Afganistan, Irak, Pakistan, Siri dhe Jemen; dhe 38 milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Por shifrat, të vetme, nuk mund ta përcjellin çmimin njerëzor — atë që shihet në sytë e fëmijëve që kanë humbur prindërit, të familjeve që kanë humbur shtëpitë dhe të një brezi të tërë, të cilit konflikti i pandërprerë ia ka vjedhur mundësinë për një jetë normale. Dhe mungesa e llogaridhënies për politikat e veprimet që e kanë shkaktuar këtë është goditëse.

Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar drejtpërdrejt edhe në dhunën e shtypjen e ushtruar nga vende të tjera, pasi vendosja e trupave amerikane anembanë Lindjes së Mesme e ka përforcuar prirjen e Uashingtonit për të bashkëpunuar ngushtë me qeveri abuzive, të cilat shpesh kishin axhendat e tyre rajonale. Ato kanë mbajtur në këmbë qeveri autokratike si ajo e Egjiptit, kanë mbështetur fushatën e Arabisë Saudite në Jemen dhe kanë mundësuar rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në luftën civile të Sudanit, ku hetuesit e Kombeve të Bashkuara dokumentuan akte që përbëjnë gjenocid. Partneritete të tilla kanë nxitur zemërimin popullor si ndaj qeverive të atyre vendeve, ashtu edhe ndaj Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhënia e SHBA-së me Izraelin ilustron se si marrëdhëniet e thella të sigurisë, të shoqëruara me baza të përhershme, mund të prodhojnë pasoja katastrofike. Që nga shembja e ngadaltë e negociatave të Oslos mes udhëheqësve izraelitë e palestinezë në vitet ’90, mbështetja amerikane është shndërruar në një çek të bardhë për çdo qeveri izraelite radhazi. Ato qeveri i kanë gërryer perspektivat e paqes me palestinezët përmes aneksimit të fshehtë gradual dhe shtypjes sistematike në Bregun Perëndimor. Gjatë viteve të fundit, kjo mbështetje i ka mundësuar Izraelit të kryejë atë që një mision faktmbledhës i OKB-së e cilësoi gjenocid në Gaza — një përfundim që e kanë përsëritur edhe një numër studiuesish izraelitë e grupesh të shoqërisë civile izraelite. Më pas, në shkurt 2026, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në nisjen e një lufte të paligjshme kundër Iranit.

Rrugëdalja

Përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara nga prania ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme e mbajnë si presidentët demokratë, ashtu edhe ata republikanë. Kjo prani i ka përfshirë Shtetet e Bashkuara në shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Uashingtoni duhet ta ndreqë kursin, duke nisur me tërheqjen e forcave sapo të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm me Iranin.

Udhëheqësit amerikanë përballen tani me një varg vendimesh me pasoja afatgjata, përfshirë nëse do t’i rindërtojnë bazat e dëmtuara gjatë luftës me Iranin dhe nëse do t’u shesin armë të reja partnerëve rajonalë. Disa analistë të mbrojtjes kanë argumentuar për ruajtjen e një gjurme ushtarake më të vogël — dhe, sipas raportimeve të The Wall Street Journal, Pentagoni po e shqyrton këtë mundësi — por një tërheqje e pjesshme do t’i linte sërish Shtetet e Bashkuara të ekspozuara ndaj rrezikut të përhershëm në rajon. Në pesë muajt e fundit, Irani ka shkatërruar ose dëmtuar ndërtesa e pajisje në të paktën 15 objekte ushtarake amerikane. Edhe sikur Shtetet e Bashkuara t’i përqendronin trupat e tyre në një a dy baza, ato do të mbeteshin objektiv kryesor për Iranin dhe grupet e lidhura me të, çka do të kërkonte burime të konsiderueshme për mbrojtjen e forcave. Pa një tërheqje të plotë, Uashingtoni do të ndihet i detyruar të vazhdojë përforcimin e mbështetjes për personelin e partnerët amerikanë, dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të tërhiqen zvarrë nëpër konflikte.

Tërheqja e të gjitha trupave amerikane nga Lindja e Mesme nuk do të thotë fund i çdo bashkëpunimi me partnerët në rajon. Ndihma e sigurisë mund të vazhdojë në disa vende, si në Liban, ku mbështetja amerikane për forcat e armatosura libaneze mund të forcojë kapacitetet e shtetit dhe të përforcojë rolin e institucioneve zyrtare në ruajtjen e sovranitetit libanez. Por është në interes të Uashingtonit të sigurojë që ndihma dhe shitjet e tij të armëve të respektojnë ligjin amerikan, i cili urdhëron ndërprerjen e kësaj ndihme kur përfituesit kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut — siç ka bërë Izraeli në Gaza. Duke pezulluar çdo ndihmë sigurie dhe eksport armësh që shkel ligjin amerikan e atë ndërkombëtar, Uashingtoni mund ta ulë rrezikun që mbështetja e tij të nxisë politikat e papërgjegjshme të vendeve të tjera dhe t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara edhe më thellë në krizat rajonale.

Ndërsa e zvogëlon praninë e trupave në rajon, Shtetet e Bashkuara munden — dhe duhet — t’i shtojnë përpjekjet diplomatike, ekonomike e humanitare në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ato duhet ta rrisin ndihmën humanitare për palestinezët, duke mbështetur njëkohësisht projekte integrimi ekonomik që mund të nxisin qëndrueshmëri e mirëqenie — si tubacionet e reja që i kanalizojnë eksportet e energjisë duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit. Ato duhet ta shfrytëzojnë tërheqjen edhe për të bërë të qartë se Uashingtoni do ta kufizojë ndihmën për vende si EBA-ja dhe Izraeli, derisa këto të përmirësojnë bilancin e tyre të të drejtave të njeriut dhe t’u japin fund politikave të tyre destabilizuese rajonale. Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i detyrojnë këto qeveri të reformohen, por mund të refuzojnë t’u japin pajisjet dhe financimin që ua mundësojnë shtypjen apo agresionin.

Ndonëse ka pak gjasa që administrata aktuale ta ndjekë këtë qasje, vendimet në Kongres mund ta formësojnë politikën e ardhshme amerikane në rajon. Ligjvënësit mund t’i shtyjnë Shtetet e Bashkuara drejt tërheqjes duke kufizuar fondet që merr Pentagoni për rimbushjen e municioneve e rinovimin e bazave, si dhe duke u vendosur kushte këtyre fondeve.

Frikërat dhe faktet

Disa do të argumentojnë se tërheqja e ushtrisë amerikane nga Lindja e Mesme mbart rreziqe serioze. Këto rreziqe janë reale, por të menaxhueshme. Të nisim me tregjet e energjisë dhe frikën e ndërprerjes së eksporteve të naftës e gazit nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen. Për vite me radhë, Uashingtoni supozonte se prania amerikane në rajon e ruante lirinë e lundrimit. Megjithatë, ishte pikërisht lufta amerikano-izraelite kundër Iranit ajo që e mbylli Ngushticën e Hormuzit — dhe ushtria amerikane nuk arriti ta rihapte me forcë, duke vënë në dyshim dobinë e qëndrimit të Flotës së Pestë në Bahrejn. Sido që të zgjidhet ngërçi në ngushticë, Irani dhe shtetet e Gjirit kanë interes të përbashkët që energjia të vazhdojë të rrjedhë, edhe pse shtetet grinden nëse mund të vendosin tarifa. Për më tepër, me Shtetet e Bashkuara tashmë prodhuese të mëdha energjie, me sektorin e rinovueshëm në rritje anembanë botës dhe me prodhuesit që po eksplorojnë mënyra për ta anashkaluar ngushticën, një furnizim global më i larmishëm i bën ndërprerjet e mëtejshme të transportit detar më pak kërcënuese.

Administrata Trump dhe mbështetësit e saj në Kongres argumentojnë gjithashtu se fuqia ushtarake amerikane është e nevojshme për të frenuar Iranin, i cili i ka destabilizuar fqinjët e tij. Por lufta aktuale ka treguar se Shtetet e Bashkuara nuk mundën t’i mbronin partnerët e tyre në Gjirin Persik nga sulmet iraniane. Shteteve të Gjirit u duhet të krijojnë marrëveshje të reja sigurie mes tyre — marrëveshje që nuk mbështeten te Uashingtoni, ndonëse Uashingtoni mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje ekonomike e diplomatike. Nuk ka asnjë garanci se marrëveshjet e reja do të ishin më të mira, por sistemi aktual i mbështetur nga SHBA-ja nuk po funksionon. Të paktën, në një rend të ri të drejtuar nga aktorët rajonalë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta ushqenin më paqëndrueshmërinë. Dhe një kornizë e tillë mund të ofrojë një rrugë më të qëndrueshme drejt stabilitetit, nëse u jep përparësi diplomacisë rajonale, dialogut dhe deeskalimit me Iranin. Me kalimin e kohës, vendet e Lindjes së Mesme mund të bëhen më pak të varura nga garancitë e jashtme ushtarake.

As lufta kundër terrorizmit nuk lehtësohet nga një prani e zgjatur e trupave amerikane. Që nga 11 shtatori, kërcënimi terrorist i ka shtyrë politikëbërësit të mbështeten te ushtria amerikane. Megjithatë, përdorimi nga Shtetet e Bashkuara i sulmeve me dronë që vranë një numër të stërmadh civilësh, bashkë me pushtimet e njëpasnjëshme, ka gjasa të ketë nxitur më shumë sulme të grupeve terroriste kundër personelit amerikan. Tërheqja e forcave amerikane tani nuk do të thotë heqje dorë nga aftësia për të luftuar terrorizmin. Shkëmbimi i informacionit me qeveritë rajonale dhe aleatët e NATO-s, bashkë me teknologjinë e përparuar që mundëson vëzhgim nga distanca gjithnjë e më të mëdha, mund t’i lejojnë Uashingtonit t’i monitorojë kërcënimet. Si mundësi e fundit, udhëheqësit amerikanë mund t’i rikthenin forcat për një mision specifik, nëse do të shpërthente një krizë që kërcënon Shtetet e Bashkuara.

Pastaj vjen çështja e sigurisë së Izraelit. Si shtet me armë bërthamore dhe me ushtrinë më të përparuar në rajon, Izraeli është më se i aftë të mbrohet vetë. Në fakt, prania amerikane e ka inkurajuar Izraelin të ndjekë politika që i kanë shtuar kërcënimet ndaj tij. Uashingtoni mund ta thyejë këtë rreth vicioz duke e kushtëzuar ndihmën ushtarake me dhënien fund nga Izraeli të pushtimit të territoreve palestineze, me ndjekjen e paqes me palestinezët dhe me ndalimin e fushatave të tij ushtarake në Iran, Liban e Siri. Këto hapa do t’i zvogëlonin rreziqet që Izraeli i krijon vetes, duke e ulur rrezikun e përgjithshëm që mund të shoqëronte humbjen e mburojës amerikane.

Së fundi, skeptikët e tërheqjes nga Lindja e Mesme shqetësohen se largimi — sidomos kaq shpejt pas dështimeve amerikane në Iran — do t’u sinjalizonte dobësi kundërshtarëve të SHBA-së. Uashingtoni përballet vërtet me një sfidë të frikshme në frenimin e Kinës dhe Rusisë, ndërsa secila i shtyn pretendimet e veta gjithnjë e më pranë shtëpisë. Por nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të zhytura në Lindjen e Mesme, do ta kenë më të vështirë të punojnë me aleatët e tyre aziatikë e evropianë për t’iu kundërvënë lëvizjeve të Pekinit apo Moskës gjetkë. Dhe ka pak rrezik që njëra prej tyre ta zërë vendin amerikan në rajon. Kina mbetet thellësisht e kujdesshme në përdorimin e ushtrisë së saj përtej periferisë së vet të afërt, ndërsa gjurma e Rusisë në Lindjen e Mesme vetëm sa është tkurrur që nga rënia e presidentit sirian Bashar al-Asad.

Një llogari publike

Pas dekadash lufte pothuajse të pandërprerë në Lindjen e Mesme, amerikanët janë lodhur nga ngatërresat e huaja. Një sondazh i fundit i Searchlight Institute zbuloi se 62 për qind preferojnë të qëndrojnë sa më larg luftërave, ndërsa 33 për qind janë për përdorimin e forcës ushtarake kur kjo i sjell dobi vendit. Një brez i tërë nuk ka njohur kurrë kohë paqeje, dhe shumica e amerikanëve të rinj — përfshirë mbi gjysmën e republikanëve të moshës 18 deri 44 vjeç — e kundërshtojnë luftën e vitit 2026 me Iranin. Kjo ishte lufta e parë në epokën e sondazheve moderne që publiku e kundërshtoi që në fillim — pikërisht atëherë kur mbështetja zakonisht është më e larta.

E megjithatë, mes kësaj llogarie publike me rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, udhëheqësit amerikanë janë shkëputur nga qytetarët e tyre. Presidenti amerikan Donald Trump fitoi dy zgjedhje duke goditur kandidatët që i fajësonte për luftërat e pafundme në Lindjen e Mesme — dhe pastaj nisi një vetë. Kur individë e institucione janë shprehur kundër politikës ndaj Izraelit, presidenti ka përdorur pushtetin e shtetit për t’i sulmuar, duke u ndaluar fondet universiteteve dhe duke dëbuar e burgosur protestues. Dhe në një kohë kur shqetësimi kryesor i amerikanëve është përballimi i nevojave të përditshme, buxheti i Pentagonit ka arritur rekordin historik prej rreth 1 trilion dollarësh në vitin 2026, ndërsa administrata po kërkon një rritje të mëtejshme prej 50 për qind për vitin 2027.

Shtetet e Bashkuara kanë ende një rol të rëndësishëm në sigurinë globale: prania e tyre ushtarake dhe garancitë e sigurisë në Evropë e Azi ndihmojnë në parandalimin e një lufte mes fuqive të mëdha. Por mënyra si po e luan Uashingtoni rolin e tij të sigurisë në Lindjen e Mesme po dëmton shumë më tepër sesa po ndihmon. Ndryshimi i kursit nuk do të jetë i lehtë, por është i domosdoshëm. Dekada luftërash e ngatërresash të keqmenduara kanë kushtuar tepër jetë njerëzish e tepër pasuri, duke i shtuar fare pak sigurisë amerikane dhe duke ia larguar vëmendjen Uashingtonit nga sfidat e ngutshme në Azi e Evropë. Ka ardhur koha që ushtria amerikane të largohet.

Marrë nga Foreign Affairs. Solli në shqip Tesheshi.com

Michael Fuchs është drejtor në Open Society Foundations. Nga viti 2021 deri në 2022 ka qenë asistent i posaçëm i presidentit Joe Biden dhe zëvendësshef i kabinetit të zëvendëspresidentes Kamala Harris. Gjatë administratës Obama ka shërbyer si zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si asistent i posaçëm i sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Related posts

Izraeli përgjon telefonat e gazetarëve në Jordani

admin

Gara: 7 lokacione u gërmuan këtë vit në Kosovë, dyshime për mbetje mortore në Gjakovë e Skenderaj

Muhamet Ramadani

RMV: Dënime deri 10 mijë euro për kompanitë që nuk do t’i respektojnë çmimet e ngrira

Muhamet Ramadani