Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që Aleanca të mos lejojë hapjen e urës së Ibrit, me pretendimin se një veprim i tillë do të krijonte, siç është shprehur ai, “parakushte të mëdha për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.
Në një video-adresim, Vuçiq ka pretenduar se gjatë pesë vjetëve të fundit ndaj serbëve në Kosovë ka pasur “persekutim të pandërprerë” dhe “terror”, ndërsa ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare për heshtje.
“Hesht Bashkimi Evropian, hesht NATO, heshtin të gjithë të tjerët”, ka thënë Vuçiq, në një fjalim të transmetuar në Facebook, transmeton KosovaPress.
Sipas pretendimeve të presidentit serb, gjatë pesë vjetëve të fundit janë regjistruar më shumë se 800 sulme të motivuara etnikisht ndaj serbëve, ndërsa 257 pjesëtarë të këtij komuniteti janë arrestuar.
“Sapo i kam dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin pata së fundmi një bisedë të rëndësishme në margjinat e samitit të Parisit, dhe i kërkova NATO-s të mos lejojë hapjen e urës së Ibrit”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia i ka kërkuar KFOR-it të mos mbështesë hapjen e urës, duke pretenduar se kjo çështje ka qenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se për të nuk është arritur marrëveshje.
Vuçiq ka bërë të ditur se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, ka zhvilluar një bisedë të cilën ai e ka cilësuar “shumë të vështirë” dhe “të keqe” me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.
“Ne kërkuam dhe i lutëm që të mos e bëjnë këtë, sepse kjo ka qenë gjithmonë subjekt i dialogut. Hapja e urës së Ibrit ka qenë subjekt i dialogut. Asnjëherë nuk është arritur marrëveshje”, ka thënë ai.
Presidenti serb ka fajësuar gjithashtu Bashkimin Evropian dhe Perëndimin për situatën aktuale, duke e ndërlidhur atë me mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Asgjë nga e gjithë kjo nuk do të ndodhte nëse Bashkimi Evropian dhe Perëndimi do të kishin respektuar atë që u nënshkrua në prill të vitit 2013”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka thënë se nga Rutte ka kërkuar që NATO të heqë dorë nga mbështetja për vendimin e autoriteteve të Kosovës për urën, duke shtuar se pret që paqja dhe stabiliteti rajonal të merren parasysh.
Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë veprimet politike lidhur me Kosovën, duke mos përjashtuar as kërkesën për një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë politikisht në të gjitha mënyrat e mundshme, duke mos përjashtuar mundësinë e thirrjes së një seance të veçantë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vuçiq.

