Një dokumentar për sulmet izraelite ndaj palestinezëve në Gaza do të shfaqet në Festivalin e 83-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia muajin e ardhshëm, raportoi e përditshmja britanike The Guardian, transmeton Anadolu.
Filmi NAZA është realizuar nga regjisorët fitues të çmimit Oscar, Yuval Abraham dhe Rachel Szor, ndërsa është prodhuar nga The Guardian.
Dokumentari heton atë që gazeta e përshkroi si “vrasje masive e llogaritur e civilëve palestinezë nga Izraeli”.
Abraham dhe Szor janë dy nga katër regjisorët izraelitë pas filmit “No Other Land”, i cili fitoi çmimin Oscar për dokumentarin më të mirë në vitin 2025.
Duke njoftuar filmin, regjisorët janë shprehur: “I xhiruar gjatë natës në çatitë e Tel Avivit, filmi zbulon në detaje sistemet që qëndrojnë pas vrasjes masive të llogaritur të civilëve palestinezë në Gaza nga Izraeli”.
The Guardian tha në një deklaratë se NAZA është një akronim i ushtrisë izraelite që përdoret në mënyrë eufemiste nga inteligjenca izraelite për të treguar numrin e civilëve që pritet të vriten në një sulm ajror.
Dokumentari bazohet në raportimet hulumtuese të realizuara nga viti 2023 deri në vitin 2025 nga publikimi izraelito-palestinez +972, platforma hebraike Local Call dhe The Guardian.
Festivali i 83-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia do të mbahet nga 2 deri më 12 shtator.

