Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Christian Saunders, ka deklaruar se agjencia nuk ka ndërmend të largohet, pavarësisht konfiskimit të një prej objekteve të saj nga autoritetet izraelite.
Në një intervistë për Al Jazeera, Saunders hodhi poshtë pretendimet izraelite lidhur me qendrën e trajnimit në Qalandiya. Autoritetet izraelite kanë pretenduar se prona i përket Fondit Kombëtar Hebre dhe se i është caktuar Komunës së Jerusalemit për ndërtimin e një kompleksi të planifikuar.
UNRWA i ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se qendra është një objekt i Kombeve të Bashkuara dhe mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.
“Ne jemi një organizatë humanitare dhe zhvillimore. Mandati ynë na është dhënë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të ofruar shërbime jetike”, tha Saunders.
Ai shtoi se UNRWA do të vazhdojë punën derisa Asambleja e Përgjithshme të vendosë ndryshe ose të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen palestineze.
Saunders tha se agjencia po ndërmerr masa për mbrojtjen e stafit dhe objekteve të saj, përmes vlerësimeve të sigurisë, trajnimeve dhe masave për zvogëlimin e rrezikut.
Ai e cilësoi përdorimin e forcës nga autoritetet izraelite si të papërshtatshëm, duke theksuar se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut.
“Ka ardhur koha që izraelitët dhe palestinezët të ulen dhe t’i zgjidhin këto çështje. Ne nuk kemi ndërmend të largohemi”, tha Saunders. /mesazhi

