Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit për Sirinë i OKB-së shprehu të martën “shqetësim të thellë” lidhur me sulmet izraelite në Sirinë jugore, duke thënë se ato shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit dhe “duhet të ndalen”, transmeton Anadolu.
Komisioni bëri thirrjen gjatë një informimi për Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, sesioni i 63-të i rregullt i të cilit filloi të hënën në Gjenevë dhe do të zgjasë deri më 7 tetor.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmet izraelite në Sirinë jugore dhe konfirmojmë se ato përbëjnë shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, tha komisioni, sipas agjencisë së lajmeve SANA të Sirisë.
“Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet”, shtoi ai.
Zonat e Sirisë jugore, veçanërisht provincat Quneitra dhe Daraa, kanë qenë dëshmitare të inkursioneve të përsëritura ushtarake izraelite, përfshirë bastisje në shtëpi, ngritje të pikave të kontrollit dhe arrestime, si dhe bombardime.
Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit të Sirisë që nga viti 1967.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024, Izraeli deklaroi se Marrëveshja e Ndarjes së Forcave e vitit 1974 kishte rënë dhe pushtoi zonën tampon të çmilitarizuar dhe pozicione të tjera, përfshirë pjesën siriane të malit Hermon (Jabal al-Sheikh).
Lidhur me zhvillimet brenda Sirisë, komisioni tha se po dëshmonte përshpejtim të rindërtimit dhe përparim në përpjekjet për krijimin e institucioneve të llogaridhënies.
Ai theksoi se “llogaridhënia është një element thelbësor për suksesin e procesit të drejtësisë tranzicionale në Siri”.
Komisioni gjithashtu mirëpriti rinovimin e mandatit të tij dhe falënderoi qeverinë siriane për mundësimin e kryerjes së punës së tij.
Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së krijoi Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit për Sirinë në gusht 2011 për të hetuar shkeljet e pretenduara të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që nga marsi i atij viti dhe, kur është e mundur, për të identifikuar përgjegjësit.
Për vite me radhë, komisioni i kreu hetimet e tij nga jashtë Sirisë, pasi nuk kishte qasje në vend, duke u mbështetur në intervista me viktimat dhe dëshmitarët, si dhe në dokumente, fotografi, video dhe imazhe satelitore.

