Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia do të presë Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31) në Antalya nga 9 deri më 20 nëntor, ndërsa po zhvillohen përpjekje që samiti të shndërrohet në një aktivitet ku vendimet për ndryshimet klimatike të përkthehen në veprime konkrete, raporton Anadolu.
Erdogan i bëri këto deklarata gjatë një takimi të nivelit të lartë për klimën, të thirrur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
“Vitin e kaluar, siç do ta mbani mend, deklarova këtu se Turqia po kandidonte për të pritur COP31-tën. Këtë vit, do ta zhvillojmë COP31-tën në Antalya nga 9 deri më 20 nëntor 2026”, tha Erdogan.
Ai tha se Turqia po punon për të siguruar që takimi të fokusohet në zbatimin e vendimeve të marra për ndryshimet klimatike.
Erdoğan theksoi se politikat klimatike duhet të marrin parasysh rrethanat sociale dhe ekonomike të vendeve.
“Çdo propozim që nuk mund ta harmonizojmë me objektivat tona klimatike dhe realitetet sociale e ekonomike do të jetë i destinuar të dështojë”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se është jorealiste të pritet që të gjitha vendet të ecin me të njëjtin ritëm, për sa kohë që vazhdojnë pabarazitë në qasjen ndaj financimit dhe teknologjisë.
“Për sa kohë që vazhdojnë pabarazitë në qasjen ndaj financimit dhe teknologjisë, nuk është realiste të pritet që të gjitha vendet të përparojnë me të njëjtin ritëm”, tha Erdogan.
Presidenti turk theksoi lidhjen mes veprimit klimatik, zhvillimit dhe mirëqenies.
“Sa më shumë që të mund të vendosim një lidhje të fortë mes objektivave klimatike dhe zhvillimit e mirëqenies, aq më shumë mund ta bëjmë tranzicionin e drejtë të përhershëm”, tha ai.
Guterres thirri takimin e nivelit të lartë për t’u fokusuar në përshpejtimin e një tranzicioni të drejtë dhe të rregullt drejt energjisë së rinovueshme, mobilizimin e financimit dhe investimeve të përballueshme për vendet në zhvillim, si dhe forcimin e përshtatjes dhe qëndrueshmërisë përballë rritjes së rreziqeve klimatike.

