Iraku dhe Turqia kanë nisur negociatat për një marrëveshje afatgjatë për bashkëpunimin në sektorët e naftës dhe gazit, njoftoi Agjencia Irakiane e Lajmeve (INA).
Ministri irakian i Naftës, Bassem Mohammed Khudair, dhe ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, u takuan në Ankara.
Sipas Ministrisë irakiane të Naftës, palët diskutuan një plan për forcimin e bashkëpunimit në zhvillimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit, industrinë petrokimike, si dhe tregtinë e naftës, gazit dhe energjisë.
Bisedimet vijnë pas ndërprerjeve të mëdha në eksportet irakiane të naftës, të cilat ranë me më shumë se 80 për qind pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit si pasojë e luftës me Iranin.
Për të shmangur pengesat në transport, Iraku dhe Turqia po përdorin rrugë alternative. Në gusht, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje njëvjeçare për rritjen e transportit të naftës së papërpunuar përmes naftësjellësit Kirkuk-Xhejhan.
Kryeministri irakian Ali al-Zaidi deklaroi në gusht se të dyja vendet do të punonin për përfundimin e një marrëveshjeje kuadër që do të përfshinte naftën, energjinë elektrike dhe burimet ujore. /mesazhi

