RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Regjistrimi – shans për të përcaktuar se sa shqiptarë jetojnë në Serbi

regjistrimi-–-shans-per-te-percaktuar-se-sa-shqiptare-jetojne-ne-serbi

Përfaqësues të shqiptarëve në Serbi kanë vendosur t’i ftojnë qytetarët të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, duke e parë atë si shans për të përcaktuar numrin real të shqiptarëve në këtë vend.

Pas shtyrjes prej një viti, për shkak të pandemisë së koronavirusit, regjistrimi i popullsisë në Serbi do të bëhet në tetor, ashtu si edhe i familjeve dhe banesave. Ky është sondazhi më i madh statistikor, që bëhet çdo dhjetë vjet.

Regjistrimi i mëparshëm në Serbi, i bërë në vitin 2011, është bojkotuar nga komuniteti shqiptar, për shkak se formularët kanë qenë të shtypur në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e komunitetit kanë përmendur edhe problemet e pazgjidhura dhe obligimet e papërmbushura të shtetit në pjesën e Serbisë, ku kryesisht jeton pakica shqiptare.

Ndryshimet nga regjistrimi i fundit
Përfaqësuesit e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës në Serbinë jugore, udhëheqësit e partive politike dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve kanë nënshkruar një marrëveshje më 25 korrik – në një takim të mbajtur në Bujanoc – me të cilën kanë konfirmuar pajtimin e tyre për të marrë pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.

Sali Salihi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, thotë se dokumenti është nënshkruar nga udhëheqësit e të gjitha partive shqiptare.

Ai, po ashtu, thotë se së shpejti do të bëhet një thirrje e përbashkët për qytetarët shqiptarë, që t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim.

Ragmi Mustafi, kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, thotë se shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e fundit edhe për faktin se, sipas tij, dy regjistrimet e mëparshme të popullsisë në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës janë manipuluar, për të zvogëluar numrin e shqiptarëve.

“Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, kushtet janë përmirësuar dukshëm. Para së gjithash, formularët e rinj përfshijnë edhe rubrikën për kombësinë. Formularët janë dygjuhësh dhe të shtypur edhe në gjuhën shqipe – gjë që nuk ka qenë më herët”, thotë Mustafi.

Ai shton se në mesin e regjistruesve ka një numër të madh shqiptarësh. Po sipas tij, është mundësuar që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në regjistrim, pavarësisht nëse kanë letërnjoftim ose jo.

Mustafi thotë se partia e tij është shumë e interesuar për të përcaktuar numrin e saktë të shqiptarëve që jetojnë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Fshirja nga evidenca uli numrin e shqiptarëve

Sipas tij, në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë do të përfshihen edhe shqiptarët e diasporës, por edhe ata qytetarë, të cilëve policia vendore ua ka pasivizuar apo fshirë adresat e banimit.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku përfshihen komunat ku ata jetojnë, ankohen prej kohësh për mosrespektim të të drejtave të tyre nga zyrtarët serbë.

Sipas tyre, autoritetet në Serbi i pasivizojnë adresat e shqiptarëve, gjegjësisht i fshijnë vendbanimet e atyre, që pretendojnë se nuk jetojnë më në ato lokacione.

Në këtë mënyrë, sipas autoriteteve në Kosovë, më shumë se 6.000 shqiptarë kanë humbur të drejtën e votës në zgjedhjet në Serbi.

Beogradi zyrtar i ka hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se kontrollet në terren kanë vërtetuar se shqiptarët e fshirë, nuk jetojnë më në ato adresa.

Numër më i vogël, diskriminim më i madh

Ragmi Mustafi thotë se shqiptarët janë diskriminuar në 11 vjetët e kaluar, për shkak të bojkotit të regjistrimit të fundit. Si pasojë e numrit shumë të vogël të shqiptarëve të numëruar, ai thotë se mjetet për fondet e Komunës së Preshevës, por edhe për punën e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve janë reduktuar ndjeshëm.

“Për 11 vjet, Republika [e Serbisë] nuk i ka rritur transferet e parave në komunat: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të bruto-prodhimit vendor, këto mjete nuk janë rritur as edhe për 1 për qind”, thotë Mustafi.

Sipas tij, kjo është bërë me qëllim të varfërimit të mëtejshëm të zonës dhe shkaktimit të pasigurisë financiare te popullata vendase.

Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare – kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në jug të Serbisë.

Megjithatë, të dhënat zyrtare nga regjistrimi që shqiptarët kanë bojkotuar, thonë se janë më pak se 6.000.

Regjistrimi përgatitet, organizohet dhe realizohet nga Instituti Republikan i Statistikave, përmes 161 komisioneve regjistruese. Komisionet tashmë janë formuar në të gjitha komunat, përfshirë komunat në jug të Serbisë: Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën.

OSBE pret regjistrim sipas standardeve evropiane

Ambasadori në Serbi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Bratu, ka thënë gjatë një vizite në Bujanoc se regjistrimi i popullsisë në Serbi do të jetë në përputhje të plotë me standardet evropiane. Sipas tij, nuk do të ketë arsye për bojkotim nga ana e pakicës shqiptare.

Ai ka thënë se për regjistrim nuk do të nevojiten dokumente dhe se anëtarët e familjes, po ashtu, do të mund t’u japin regjistruesve informacione për anëtarët e tjerë.

Rëndësi për komunitetin dhe shtetin

Tre vjet më parë, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka dërguar letër në adresë të Institutit Republikan të Statistikave, Qeverisë, ministrive përkatëse dhe institucioneve shtetërore, duke u kërkuar atyre që t’i heqin të gjitha pengesat, për të cilat komuniteti shqiptar ka thënë se ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

“Me mbështetjen e OSBE-së, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, në koordinim me ne, ka arritur të sigurojë kushte optimale që komuniteti shqiptar të jetë pjesë e regjistrimit”, thotë Mustafi, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë.

Sipas tij, shteti i ka pranuar të gjitha kërkesat për korrigjimin e mangësive dhe këtë e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike me vendimin për t’i ftuar qytetarët të marrin pjesë në regjistrim.

Mustafi thotë se përcaktimi i numrit të saktë të shqiptarëve në Serbi është i rëndësishëm sa për komunitetin, aq edhe për shtetin e Serbisë, jo vetëm për arsye politike, por edhe për arsye pragmatike.

“Mjetet buxhetore për vetëqeverisjet lokale dhe këshillat nacionalë përcaktohen proporcionalisht me numrin e pakicave kombëtare. Për shkak të numrit dukshëm më të ulët të qytetarëve të kombësisë shqiptare, në krahasim me gjendjen reale, fondet janë zvogëluar për 30 deri në 40 për qind”, thotë Mustafi.

Tri komuna presin ndryshime specifike në financim

Për shkak të bojkotimit të regjistrimit nga shqiptarët në vitin 2011, ekspertë të bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë një vlerësim të numrit të banorëve në tri komuna të Serbisë jugore. Sipas këtij vlerësimi, Komuna e Bujanocit në vitin e regjistrimit ka pasur 38.300 banorë, Komuna e Preshevës 29.600 dhe Komuna e Medvegjës 7.442.

Për punët e tyre, organet dhe institucionet shtetërore janë mbështetur ekskluzivisht në të dhënat zyrtare nga regjistrimi, sipas të cilave, vetëm 5.800 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare kanë jetuar në gjithë Serbinë.

Kujtim Sadriu, drejtor i Qendrës joqeveritare për Monitorim dhe Hulumtim në Preshevë, vlerëson se kushtet për regjistrimin e ardhshëm janë shumë më të mira se 11 vjet më parë. Ai thekson se përgatitjet janë më transparente dhe se shqiptarët janë të përfshirë në të gjithë procesin.

“Kjo do të thotë se kur ka vullnet të mirë, çdo problem mund të zgjidhet. Në rastin e regjistrimit, shteti ka dëgjuar dhe pranuar kundërshtimet e komunitetit shqiptar”, thotë Sadriu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se regjistrimi mund të bëhet model për zgjidhjen e çështjeve të tjera, të cilat janë me rëndësi jetike për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ai, po ashtu, thotë se qytetarët presin ndryshime konkrete në financimin e këtyre komunave, pas regjistrimit të popullsisë.

“Pritet që Gjykata Themelore të kthehet në Bujanoc, të rritet numri i këshilltarëve në Këshillin Kombëtar, të rriten transferet në buxhetet komunale, që këto tri komuna të mund të investojnë në zhvillimin ekonomik, në shëndetësi, arsim, kulturë… Thjesht, ato që i kanë edhe komunat tjera në Serbi, as më pak, as më shumë”, thotë Sadriu.

Gjatë regjistrimit të popullsisë në Serbi, nga data 1 deri më 31 tetor, do të përdoren për herë të parë pyetësorët elektronikë, ndërsa rezultatet preliminare pritet të dihen deri në fund të nëntorit.

Në regjistrimin e fundit në Serbi, më 2011, janë regjistuar rreth 7.2 milionë banorë. Megjithatë, sipas të dhënave të Institutit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2019 numri ka rënë nën shtatë milionë [6.982.604] – për herë të parë në 53 vjet. /rel/

Related posts

Trump sinjalizon se do të mbështes legalizimin e marihuanës në Florida: Nuk do shpërdorojmë paratë duke arrestuar ata që kapen me sasi për përdorim personal

admin

Grupet muslimano-amerikane i dërgojnë letër presidentit Biden për Gazën

rezart morina

Osmani uron Berset për zgjedhjen Sekretar i Përgjithshëm i KiE

admin