Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është gati të nisë transportimin e miliona tonëve drithë në portet e saj jugore dhe po pret nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, të cilat kanë rënë dakord të mbikëqyrin dërgesat, që të fillojnë operacionin.
“Ne jemi plotësisht e përgatitur. Ua kemi dërguar të gjitha sinjalet partnerëve tanë, OKB-së dhe Turqisë, dhe ushtria jonë garanton situatën e sigurisë”, tha Zelensky, thuhet në njoftimin e zyrës së tij më 29 korrik.
Zelensky ka vizituar personalisht njërin nga portet, Chornomorsk, prej ku do të nisen dërgesat e grurit, për të vlerësuar situatën, thuhet në njoftim.
Kievi dhe Moska nënshkruan marrëveshje më 22 korrik, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së, për të çliruar tri nga portet e Ukrainës: Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny, të cilat ishin bllokuar që kur Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj në fund të shkurtit.
Marrëveshja e nënshkruar në Stamboll mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.
Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt. /rel