Presidenti i rrëzuar sudanez, Omar al-Bashir, ka pranuar përgjegjësinë e tij të plotë për grusht shtetin e vitit 1989 në Sudan, kur në pushtet erdhi ai dhe 27 bashkëpunëtorë të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Unë mbaj përgjegjësi të plotë për ngjarjet e qershorit 1989″, tha al-Bashir gjatë seancës gjyqësore që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror sudanez.
Ai gjithashtu përmendi disa arritje që kur erdhi në pushtet në vitin 1989.
“Kemi ftuar 77 liderë partish në dialog pas ngjarjeve të vitit 1989, me qëllim të rivendosjes së paqes në vend. Kishim suksese të mëdha, donim t’i shërbenim popullit sudanez dhe qëllimi ynë nuk ishte pushteti”, tha al-Bashir, duke mohuar çdo rol civil në grushtin e shtetit të vitit 1989.
Ish-presidenti sudanez përballet me akuzat për rrënimin e rendit kushtetues të Sudanit për orkestrimin e grusht shtetit të vitit 1989.
Më 30 korrik të vitit 1989, al-Bashir organizoi një grusht shteti ushtarak kundër qeverisë së atëhershme të kryeministrit Sadiq al-Mahdi dhe mori pushtetin e Sudanit nën atë që e quajti “revolucion i shpëtimit kombëtar”. Ai sundoi Sudanin për tre dekada dhe u rrëzua nga ushtria në vitin 2019 pas protestave masive.
Ish-presidenti al-Bashir ndodhet në burgun Kober në Khartoum pasi u shpall fajtor për korrupsion në dhjetor të vitit 2019.