RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Petr Pavel fiton zgjedhjet presidenciale në Çeki

petr-pavel-fiton-zgjedhjet-presidenciale-ne-ceki

Ish-shefi i ushtrisë Petr Pavel fitoi zgjedhjet presidenciale në Çeki të shtunën pas një fushate në mbështetje të fortë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe për ndihmën për Ukrainën.

Gjenerali në pension 61-vjeçar që kandidonte për herë të parë për postin, parashikohet të fitojë me më shumë se 58% me pothuajse të gjitha votat e numëruara, duke lënë pas ish-kryeministrin miliarder Andrej Babis, një figurë mbizotëruese por polarizuese në politikën çeke gjatë dekadës së fundit.

Z. Pavel, që bëri fushatë si i pavarur dhe kishte fitoi mbështetjen e qeverisë së qendrës së djathtë, përcolli një mesazh uniteti dhe qetësie kur foli në Pragë të shtunën, pasi rezultatet treguan se ai kishte fituar.

“Vlerat si e vërteta, dinjiteti, respekti dhe modestia fituan,” u tha zoti Pavel mbështetësve dhe gazetarëve. “Jam i bindur se këto vlera ndahen nga një shumicë dërrmuese”.

Posti i presidentit është kryesisht ceremonial në Çeki, por kreu i shtetit zgjedh kryeministrat dhe krerët e bankave qendrore, ka një zë me peshë në politikën e jashtme dhe mund të nxisë qeverinë të ndjekë politika të caktuara.

Gjenerali në pension Pavel e merr detyrën në mars, duke zëvendësuar presidentin në largim Milos Zeman, një figurë përçarëse gjatë dy mandateve të tij në detyrë gjatë dekadës së fundit, i cili kishte mbështetur zotin Babis.

Z. Zeman kishte nxitur lidhje më të ngushta me Pekinin si edhe me Moskën deri kur Rusia filloi agresionin në Ukrainë dhe zgjedhja e zotit Pavel do të shënojë një ndryshim të qartë.

68 vjeçari Babis, një manjat biznesi që kryeson partinë më të madhe opozitare në parlament, kishte sulmuar z. Pavel duke e paraqitur si kandidat të qeverisë. Ai u përpoq të tërhiqte votuesit që ishin të pakënaqur me rritjen e çmimeve duke u zotuar se do të bënte presion ndaj qeverisë që të bënte më shumë për t’i ndihmuar ata.

Z. Babis dhe kryeministri Petr Fiala e uruan të shtunën zotin Pavel për fitoren. /voa

Related posts

Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri

admin

Rikthehen kalimet në La Mansh, në një ditë zbarkojnë 13 gomone me 686 emigrantë

Muhamet Ramadani

OKB: Rreth 360 mijë palestinezë janë larguar nga Rafah për shkak të sulmeve izraelite

admin