RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetTurqi

​Pjesëtari i ekipit kosovar të kërkim-shpëtimit: E kishim borxh ta ndihmonim Turqinë

​pjesetari-i-ekipit-kosovar-te-kerkim-shpetimit:-e-kishim-borxh-ta-ndihmonim-turqine

Kosova iu bashkua përpjekjeve të shpëtimit pas tërmeteve të fuqishme të javës së kaluar në Turqinë jugore si “shpagim” për ndihmën e Ankarasë në të kaluarën për Prishtinën, tha Ilir Gaxha nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtimit.

Gaxha, sekretar i Shoqatës, foli për Anadolu në aeroportin në provincën Hatay përpara se të nisej për t’u kthyer në vendin e tij me grupin e tij prej gjashtë vetash, pasi përfunduan misionin e tyre “me sukses” në zonën e tërmetit ku arritën më 9 shkurt.

Teksa ishin aty, Gaxha tha se ekipi i tij ndihmoi në përpjekjet e shpëtimit dhe se të martën i kanë shpëtuar jetën një vajze 3-vjeçare duke i dhënë ndihmën e parë.

“Ne u ndiem tmerrësisht kur e pamë. Kjo është arsyeja pse duhej të vinim dhe të jepnim kontributin tonë. Turqia në të kaluarën e ka ndihmuar shumë vendin tim, Kosovën. Dhe kjo është mënyra jonë për të shpaguar atë që e konsiderojmë si borxh”, tha ai.

“Dhe, për fat të mirë, ne arritëm ta përfundojmë me sukses misionin”, shtoi Gaxha.

“Është e trishtueshme të shohësh gjithë qytetin të shkatërruar”, tha Gaxha, duke shtuar se familjet e viktimave që kishin mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara kishin kërkuar nga ata që t’i nxjerrin trupat e të afërmve të tyre të vdekur.

Duke vënë në dukje se ekipi i tij kishte nxjerrë më shumë se 20 kufoma dhe kishte ndaluar numërimin në një moment të caktuar, ai tha se kanë nxjerrë nëntë trupa të pajetë vetëm të martën.

“Ishte e trishtueshme të shihje, për shembull, në një thes gjumi, një nënë dhe baba që kishin mbuluar dy fëmijët dhe të katër ishin të vdekur nga tërmeti së bashku. Ishte një histori e tmerrshme”, rrëfen Gaxha.

“Në një rast nxorëm djalin dhe vajzën e një burri dhe kur ia dorëzuam (trupat) babait, ai qante dhe lotonte. Ende nuk mund ta harroj mënyrën se si qante”, shtoi ai.

Në lidhje me shpëtimin e 3-vjeçares, Gaxha tha se vajza u nxor nga një ekip tjetër dhe fillimisht mendohej se ishte e vdekur, por më pas njëri nga ushtarët turq kishte vërejtur se vogëlushja kishte lot në sy.

“Ne aplikuam CPR (Reanimin kardiopulmonar) për rreth 25 deri në 30 minuta derisa erdhi ambulanca turke. Kishte disa vajza të reja të cilat ishin në panik kur panë fëmijën e vogël”, tha ai.

“Dhe ne ishim të fortë, duke bërë këtë procedurë gjatë gjithë kohës, derisa e futëm në ambulancë. Dhe pastaj u emocionuam shumë pasi e përjetuam atë ndjenjë”, u shpreh Gaxha.

Më pas, me t’u kuptuar se vajza kishte shpëtuar, të gjithë u përqafuan dhe u puthën, rrëfeu Gaxha.

“Të gjithë ishin shumë të lumtur. Pra, është një ndjenjë që nuk mund ta shpjegojmë. Jemi shumë krenarë që arritëm të përfaqësojmë vendin tonë dhe të ndihmojmë Turqinë”, tha Ilir Gaxha nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim./AA

Related posts

Greva e minatorëve, FSSHK kërkon nga Qeveria dhe menaxhmenti i Trepçës që të bëhet një zgjidhje afatgjate

RTI

Reporterët pa Kufij thirrje komunitetit ndërkombëtar për “mbrojtjen e gazetarëve palestinezë”

rezart morina

Qeveria propozon zgjatjen e masave emergjente të energjisë elektrike për 30 ditë

admin