RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Borrell njofton ministrat e BE-së për rezultatet e takimit të Ohrit

borrell-njofton-ministrat-e-be-se-per-rezultatet-e-takimit-te-ohrit

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, do të raportojë para ministrave të Jashtëm të shteteve të bllokut evropian lidhur me takimin në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, që u zhvillua më 18 mars nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën pajtim për aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Këtë marrëveshje, apo siç njihet edhe si propozimi evropian, Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, gjatë rundit të bisedimeve që u mbajt në Bruksel.

“Patëm diskutime të gjata dhe në fund edhe marrëveshje e cila do të konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugëtimit evropian për të dyja palët. Do të bëhet pjesë e kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit me BE-në për Serbinë dhe pjesë e dokumenteve dhe kërkesave për normalizim për Kosovën. Tani do të monitorojmë për së afërmi zbatimin. Të dyja palët janë shprehur se duan ta zbatojë dhe le të shohim se si do ta bëjnë këtë”, tha më 20 mars Borrell, para nisjes së takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së.

Për takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për planet për të siguruar zbatimin e asaj për të cilin u pajtuan palët, Borrell do të flasë edhe në samitin e BE-së që zhvillohet në Bruksel më 23 dhe 24 mars, shkruan REL.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se blloku evropian do të marrë vendim për zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit dhe t’i bëjë pjesë përbërëse të kornizës negociuese të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Ndërsa për Kosovën, zbatimin do të jetë pjesë e Komisionit për normalizim.

Një prej pikave të aneksit vendos zbatimin si kusht për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve në BE dhe flet për pasojat në rast se nuk do të ketë zbatim.

Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, që ka 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kjo marrëveshje kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Related posts

Shqipëria me rekord të vizitorëve

admin

Raporti: Zelensky po planifikon vizitën e parë në Gjermani që nga fillimi i luftës në Ukrainë

admin

Deklarata e Samitit të Madridit: NATO zyrtarisht fton Finlandën dhe Suedinë të bëhen anëtare të Aleancës

admin