Konferenca Spanjolle e Peshkopëve (CEE) ka bërë të ditur se ka informacione për 706 akuza për abuzim seksual të fëmijëve në institucionet brenda Kishës Katolike që nga viti 1945, transmeton Anadolu.
Komisioni i formuar nga CEE, i cili heton akuzat për abuzim seksual ndaj fëmijëve nga klerikët që punojnë brenda Kishës Katolike në Spanjë, i paraqiti raportin e tij Institucionit të Ombudsmanit.
Në njoftimin për media mbi raportin thuhet se CEE kishte informacion për 706 raste të akuzave për abuzim seksual që nga viti 1945.
Gjithashtu theksohet se 186 nga 706 raste në raportin prej 2 mijë faqesh ishin të reja, ndërsa 16 prej tyre kishin ndodhur në vitin 2022.
Duke folur në një konferencë për media mbi raportin, sekretari i përgjithshëm i CEE-së, Garcia Magan, theksoi se “në punimet e nisura me lejen e Vatikanit dhe iniciativën vullnetare të Kishës u intervistuan ata që bënë denoncimet penale dhe dëshmitarët”.
Duke theksuar se nga 186 rastet e reja, 74 janë priftërinj, 36 peshkopë, 49 klerikë dhe 27 punëtorë të lirë, Magan tha se 90 prej tyre vdiqën, 69 janë gjallë dhe se për 27 tjerë nuk kanë informata.
Magan tha se nuk ka klerikë brenda kishës, të cilët akuzohen për fshehjen e akuzave për abuzim seksual në Spanjë.
Në Spanjë, gazeta ‘El Pais’ në muajin dhjetor i dërgoi Vatikanit dhe CEE-së hulumtimin e saj mbi akuzat për abuzim seksual brenda Kishës Katolike, i cili zgjati rreth 3.5 vjet, si dhe raportin që përgatiti për 1.237 viktima, 251 prej të cilave ishin raste në vitin 2021.
Kisha Katolike Spanjolle, e cila është akuzuar se ka heshtur dhe nuk ka hapur arkivat e saj mbi akuzat për abuzim seksual, që nga viti i kaluar ka nisur disa nisma.