Qeveria e Italia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare për gjashtë muaj për ta ndihmuar të përballet me numrin në rritje të emigrantëve që po arrijnë në brigjet jugore italiane.
Qeveria ka aprovuar po ashtu fondin prej 5 milionë eurosh. Ajo tha se gjendja e jashtëzakonshme u pa e domosdoshme “për të ndërmarrë me urgjencë masa të jashtëzakonshme për të reduktuar mbipopullimin” në një strehë emigrantësh të tejmbushur.
Po ashtu tha se nevojiteshin struktura të reja për strehim dhe për procedurat për riatdhesimin e emigrantëve që nuk mund të qëndrojnë në vend, raportoi AP.
Që nga fillimi i vitit, rreth 31 mijë emigrantë janë shpëtuar nga anijet ushtarake italiane apo anijet bamirëse ose kanë arritur në Itali pa ndihmë. Vetëm ditët e fundit, 26 varka me emigrantë arritën në Lampedusa, një ishull i vogël italian në jug të Sicilisë. Objekti në Lampedusa, i cili strehon emigrantët në mënyrë që ata të mund të identifikohen përkohësisht si hapi i parë drejt çdo aplikimi për azil, ishte i mbingarkuar me mbërritjet e emigrantëve. /koha