RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ambasadori i BE-së në Shkup: Shumë pak është bërë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit

ambasadori-i-be-se-ne-shkup:-shume-pak-eshte-bere-ne-sundimin-e-ligjit-dhe-luften-kunder-korrupsionit

Shefi i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer, shprehu zhgënjimin me nivelin e reformave në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, duke thënë se “shumë pak është arritur” në këtë sferë, raporton Anadolu.

Euroambasadori Geer mori pjesë në një takim pune me zv.kryeministren e Maqedonisë së Veriut përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska. Në takim morën pjesë edhe drejtues të disa institucioneve publike.

Qëllimi i takimit është monitorimi i vazhdueshëm i progresit të arritur nga institucionet e përfshira në luftën kundër korrupsionit, respektivisht përmbushja e rekomandimeve të deklaruara në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2022 dhe në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit për vitet 2021-2025.

Euroambasadori Geer tha se ky takim është një mundësi tjetër për t’iu referuar detyrave që Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë në luftën kundër korrupsionit.

Ai rikujtoi se qeveria dhe gjyqësori duhet të jenë protagonistë në luftën kundër korrupsionit, duke shtuar se kjo është gjithashtu një detyrim edhe për shoqërinë në përgjithësi.

“Lufta kundër korrupsionit kërkon angazhimin e plotë të vendit në tërësi. E përderisa kemi parë njëfarë progresi, reformat pasive në këto fusha, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, mbeten zhgënjyese. Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut nga vjeshta e kaluar, i cili është fokusi i takimit të sotëm, jep udhëzime të qarta se çfarë duhet bërë dhe ku duhet të jetë prioriteti. Ne të gjithë i dimë këto, por deri më tani, shumë pak është bërë”, tha ambasadori i BE-së në Shkup.

Ai u bëri thirrje institucioneve që të veprojnë në bazë të rekomandimeve, duke shtuar se për këtë, mund të llogarisin në mbështetjen e BE-së.

Thirrje krerëve të institucioneve që të jenë më proaktivë

Zv.kryeministrja Gërkovska tha se takime të këtilla do të mbahen në vazhdimësi, me qëllim që të monitorohet dinamika e progresit për dobësitë që janë të shënuara në raportin evropian.

“Afrimi me BE-në, si objektivi ynë strategjik më i rëndësishëm, do të thotë të rrisim vazhdimisht përgjegjësinë dhe llogaridhënien e institucioneve, të përmirësojmë funksionalitetin e tyre si shërbim për qytetarët dhe si motor i përparimit socio-ekonomik dhe një standardi më të mirë jetese”, tha Gërkovska.

Ajo u bëri thirrje krerëve të institucioneve që të jenë më proaktivë, duke shtuar se raporti duhet kuptuar si thirrje për veprim.

Zv.kryeministrja Gërkovska bëri thirrje edhe për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, duke shtuar se disa rezultate nuk varen vetëm nga një institucion, por nga bashkëpunimi i më shumë institucioneve.

Related posts

Ndikimi i luftës, çmimet e ushqimeve kapin nivele rekord në Britani

admin

Qeveria prezanton masën 1.2, ka të bëjë me lëndët djegëse për ngrohje

rezart morina

Osmani: Evropa e bashkuar vetëm me një Ballkan Perëndimor të bashkuar

rezart morina