RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Serbia reagon ndaj vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave me Kosovën

serbia-reagon-ndaj-vendimit-te-be-se-per-liberalizimin-e-vizave-me-kosoven

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka reaguar ndaj vendimit të Parlamentit Evropian (PE) për liberalizimin e vizave me Kosovën, transmeton Anadolu.

Gjatë programit në një kanal televiziv lokal në Serbi, Daçiq komentoi vendimin e PE-së për të lejuar udhëtimin pa viza në Bashkimin Evropian (BE) për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se nuk janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, por nuk e kanë parë të duhur periudhën kur është marrë vendimi. Daçiq ka theksuar se vendimi i marrë në këtë periudhë ka qenë “shpërblim”.

Daçiq, duke argumentuar se “Kosova nuk përmbush asnjë kusht për liberalizimin e vizave”, tha se i pari nga këto kushte është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

I pyetur nëse do të ishte e dobishme për Serbinë që të dialogonte me autoritetet e Kosovës, me ndërmjetësimin e BE-së, Daçiq tha: “Nëse mund të vendosim një vijë, mendoj se është e dobishme për Serbinë të marrë pjesë në dialog”.

Kujtojmë se PE të martën miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si hap i fundit në këtë proces.

Me këtë vendim, pritjes së gjatë të qytetarëve të Kosovës i vjen fundi dhe konkretisht ata do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

Miratimi i këtij vendimi në PE u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit (të ministrave të BE-së) dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha presidentja e PE-së, Roberta Metsola.

Related posts

Garda Revolucionare Iraniane: Zyra e Netanyahut u shënjestrua me raketa “Khyber”

admin

Baerbock: OKB-ja ka nevojë për një ‘përmirësim’

Muhamet Ramadani

Protestat antiqeveritare, regjimi i Iranit hakmerret ndaj mjekëve që ndihmuan qytetarët e plagosur! Raportohet për arrestime, një kirurg rrezikon dënim me vdekje

admin