Lidhur me thirrjen e bërë në Belgjikë për “heqjen e shtetësisë së dyfishtë” ndaj atyre që votojnë presidentin Erdoğan, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın tha se “Kanë humbur arsyen dhe masën aq sa të propozojnë heqjen e të drejtave të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, për shkak se kanë votuar presidentin tonë”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale, Kalın kritikoi thirrjen e bërë nga ministrja e Shtetit Përgjegjëse për të Drejtat e Barabarta dhe Luftën kundër Varfërisë të qeverisë rajonale Flamane në Belgjikë, Zuhal Demir e cila pasi nga Belgjika dolën shumë vota për presidentin Recep Tayyip Erdoğan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, bëri thirrje për të “anuluar të drejtën e shtetësisë së dyfishtë ose të votimit”.
“Kanë humbur arsyen dhe masën aq sa të propozojnë heqjen e të drejtave të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, për shkak se kanë votuar presidentin tonë. Këtë e thotë një person që është bërë ministre në vendin e BE-së. Gjykimin po ua lë juve. Përgjigjen më të mirë ndaj kësaj do ta japin qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit”, ka thënë Kalın në deklaratën e tij.
Thirrja e ministres belge Zuhal Demir për “heqjen e shtetësisë së dyfishtë”.
“Erdogan është shumë më popullor në Flanders se në Turqi. Ai mori 72 për qind të votave. Turqit evropianë po bëjnë një lloj dopingu elektoral. E vetmja mënyrë për të ndaluar shpëlarjen e trurit të turqve flaman është ta bëjmë të pamundur votën për Erdoganin”.