Në Shqipëri është mbajtur një tubim në mbështetje të Kosovës, me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, raporton Anadolu.
Tubimi është organizuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Dhjetëra qytetarë pjesëmarrës në tubim me flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën, pas tensioneve të fundit.
Pas tensioneve të fundit në Kosovë, institucionet e Shqipërisë shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën, ndërkohë bënë thirrje edhe për uljen e tensioneve.
Kujtojmë se në fund të majit shpërthyen tensione në veri të Kosovës, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët e rinj të komunave. Më pas, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën dhjetëra ushtarë ndërkombëtarë dhe protestues.
Policia e Kosovës njoftoi më 14 qershor se “ka ndodhur një rrëmbim klasik nga forcat serbe”, i tre policëve të Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri Rama, disa ditë më parë konfirmoi se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Kosovë.
Pas këtyre zhvillimeve, mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës e planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë u anulua.