Gjykata Speciale i ka kthyer letër deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli i cili kishte kërkuar nga kjo gjykatë të nisë hetimet për masakrën që është kryer në Burgun e Dubravës nga forcat serbe.
Dugolli i i cili ishte i mbijetuar i kësaj masakre ka bërë të ditur se ka pranuar një letër nga Gjykata Speciale, të cilët i kanë thënë se kërkesa e tij do të shqyrtohet.
“Dua t’ju informoj se kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”, ka shkruar Dugolli në Facebook.
Masakra në Burgun e Dubravës, cilësohet si njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.
Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.