Presidentja Vjosa Osmani ka dënuar dhunën fizike në Kuvendin e Kosovës që ndodhi të enjten mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar e deputetëve të pushtetit.
Osmani ka theksuar se dhuna nuk ka vend në Kuvend dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shtuar se duhet të respektohet mendimi ndryshe.
“Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”.