Kryeministri polak Mateusz Morawiecki, ka shprehur shqetësim për praninë e mercenarëve të Wagner në kufi me Bjellorusinë.
Ai thotë se Varshava e sheh praninë e Wagnerit si një kërcënim të mundshëm dhe po kërkon të forcojë krahun e saj lindor.
Por ndër të tjera, Morawiecki zbuloi një strategji të mundshme që ushtarët e Wagner mund të përdorin për të hyrë në territorin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, luftëtarët e vendosur në Bjellorusi pas grushtit të dështuar të shtetit, mund të paraqiten si emigrantë dhe të hyjnë në BE.
“Tani situata po bëhet edhe më e rrezikshme. Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi të mëtejshëm hibrid në territorin polak”, tha ai në një konferencë shtypi gjatë një vizite në një fabrikë armësh në Gliëice, qytet në Poloninë jugore.
Deklaratat e kryeministrit polak vijnë vetëm dy ditë pasi ministri i Brendshëm nga Varshava tha se Polonia, Lituania dhe Letonia mund të vendosin së bashku të mbyllin kufijtë e tyre me Bjellorusinë nëse do të kishte incidente që përfshijnë grupin Wagner përgjatë kufijve të tyre. /tiranapost