Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se mjetet ajrore ruse pa pilot (UAV) si Kub dhe Lancet janë efektive në Ukrainë, duke shtuar se “Prodhuesit premtuan të rrisin prodhimin. Ata po e përballojnë atë, por duhet edhe më shumë”, transmeton Anadolu.
Putin u takua në Moskë me kreun e kompanisë ruse të industrisë shtetërore të mbrojtjes Rostec, Sergey Chemezov.
Presidenti rus ka theksuar se me largimin e kompanive perëndimore të avionëve nga Rusia, është krijuar një mundësi e rëndësishme për prodhuesit rusë të avionëve.
“Ekziston një mundësi reale që prodhuesit tanë të mbushin këtë treg të boshatisur. Prodhuesit e huaj duan të kthehen (në tregun rus), kjo duhet të zgjidhet përpara se të kthehen”, tha Putin.
Duke deklaruar se prodhimi rus i UAV-ve duhet të rritet gjithashtu, Putin tha se, “Kub dhe Lancet janë shumë efektive. Ata jo vetëm që djegin çdo pajisje, përfshirë prodhimin e huaj, por shpërthejnë edhe pjesë municionesh. Prodhuesit kanë premtuar të rrisin prodhimin. Ata po e përballojnë atë, por duhet edhe më shumë”.
Chemezov gjatë takimit përcolli edhe zhvillimet në sektorin industrial rus dhe tha se dyfishuan prodhimin e helikopterëve dhe avionëve ushtarakë në vitin 2022.