Më shumë se 100,000 izraelitë protestuan të shtunën në Tel Aviv kundër qeverisë së Netanyahut ndërsa demonstrata të ngjashme u mbajtën edhe në disa qytete izraelite.Protestat antiqeveritare, të nxitura nga reforma e diskutueshme në sistemin gjyqësor, vazhdojnë për javën e 38-të në vend.
Kryeministri izraelit ndodhet në SHBA ndërsa njerëzit shprehin mosmiratimin e tyre për reformën e sistemit gjyqësor. Në fund të korrikut, duke sfiduar protestat masive, parlamenti izraelit miratoi një amendament që kufizon aftësinë e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar vendimet e qeverisë që i konsideron “të papërshtatshme”.
Kritikët e reformës e shohin atë si një kërcënim për demokracinë në Izrael. Qeveria Netanyahu argumenton se reforma në drejtësi është e domosdoshme për të kufizuar ndërhyrjen “e tepruar” të Gjykatës së Lartë në punën e qeverisë. Deri më tani, negociatat me opozitën për të arritur një kompromis nuk kanë dhënë fryte.
Gjykata e Lartë e Izraelit po shqyrton tetë ankesa kundër amendamentit të kontestuar. Në një intervistë me CNN të premten, Benjamin Netanyahu shmangu një përgjigje të qartë kur u pyet nëse do të respektonte një vendim të Gjykatës së Lartë kundër amendamentit.
“Unë besoj se ne duhet të respektojmë vendimet e Gjykatës së Lartë dhe se Gjykata e Lartë duhet të respektojë projektligjet e miratuara nga Knesset”, tha kryeministri i Izraelit. /abcnews