Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur shqetësimin e tij për humbjet e rënda të jetëve në mesin e popullatës civile në Gaza, transmeton Anadolu.
Siç njofton Pallati Elysee, presidenti francez diskutoi situatën në Gaza dhe rajon në një telefonatë me kryeministrin izraelit.
Macron i përcolli shqetësimet e tij Netanyahut për numrin e madh të vdekjeve të civilëve në Gaza në mes të konfliktit të intensifikuar dhe situatës urgjente humanitare.
Në njoftimin e presidencës franceze theksohet se Macron i kujtoi Netanyahut detyrimin e Izraelit për të mbrojtur civilët dhe theksoi nevojën urgjente për të ofruar ndihmën e nevojshme për popullatën civile në Gaza.
Macron mbrojti përpjekjet drejt një armëpushimi të qëndrueshëm me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar dhe rajonal, duke theksuar se Franca së bashku me Jordaninë do të kryejnë operacione të ndihmës humanitare në Gaza në ditët në vijim.
Presidenti francez theksoi gjithashtu nevojën që Izraeli të marrë masa për t’i dhënë fund dhunës nga kolonët hebrenj kundër civilëve palestinezë dhe për të ndalur projektet e reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Ai shtoi se kjo situatë kërcënon zgjidhjen me dy shtete.
Macron gjithashtu përcolli mesazhe për Iranin dhe grupet e lidhura me të që të qëndrojnë larg konfliktit për të parandaluar përhapjen e tij në rajon dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rezoluta e OKB-së kërkon që Izraeli të tërhiqet pas vijës blu, si dhe çarmatimin e rajonit midis kësaj linje dhe lumit Litani në Liban, duke lejuar vetëm ushtrinë libaneze dhe Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban të zotërojnë armë dhe pajisje ushtarake në zonë.