Me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, krerët e shtetit kanë bërë homazhe te varri i tij në Velani.
Të pranishëm kanë qenë presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Gjithashtu në nderim të jetës dhe veprës së Rugovës homazhe ka bërë edhe dhefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Rugova ka ndërruar jetë në vitin 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore e ushtarake.
Ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë të komunës së Istogut. Shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në qytetin e Pejës më 1967. Ndërsa, ka studiuar në Fakultetin Filozofik- Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Prishtinë. Ka doktoruar në fushën e letërsisë në UP më 1984.
Më 1996, Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris./