Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u mbajt seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e vendit në Aleancën e NATO-s.
Këshilli paraqet një mekanizëm zyrtar ndërqeveritar për koordinimin e çështjeve në drejtim të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes në lidhje me NATO-n, ndërsa ngjarja është organizuar bashkërisht me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut.
Seancën inauguruese e hapi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili u shpreh se Këshilli konfirmon përkushtimin e vendit për sigurinë përmes unitetit, si dhe lidhjet e fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar.
“Sot e themelojmë këshillin për koordinimin e aktiviteteve të Maqedonisë së Veriut në NATO, që është një nevojë e drejtpërdrejtë nga anëtarësimi ynë në NATO. Duke i pasur parasysh sfidat e sigurisë dhe stabilitetit me të cilat përballemi si pjesë e komunitetit euroatlantik, formojmë një këshill që e forcon rezistencën tonë dhe që do të ndihmojë në paraqitjen tonë të koordinuar si institucione, kur është në pyetje çështja e sigurisë në kuptimin më të gjerë dhe puna e NATO-s”, tha Xhaferi.
Duke përmendur Rusinë dhe terrorizmin si dy kërcënime kryesore për NATO-n, ai u shpreh se NATO-ja nuk ka qenë kurrë më e bashkuar dhe më e fuqishme se tani.
Fjalim mbajti edhe ambasadori britanik në Shkup, Matthew Lawson, i cili përkujtoi se NATO-ja këtë vit feston 75-vjetorin e themelimit.
“NATO-ja është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në histori, në kuadër të së cilës më shumë se një miliard njerëz jetojnë në një mjedis më të sigurt. Mbledhja e parë e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO sot është pjesë e mbështetjes britanike për vendin, si partneri ynë i fuqishëm në NATO”, tha ambasadori Lawson.
Fjalim kishte edhe kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha se Ministria e Punëve të Jashtme e inicoi themelimin e këtij organi, i cili mundëson bashkëpunim dhe konsultim të sinkronizuar, efikas dhe të integruar ndërinstitucional për të gjitha çështjet që dalin nga anëtarësimi në Aleancë.
Pas fjalimeve në seancën inauguruese, vazhdoi takimi i mbyllur ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.