RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Sot votohet për largimin e kryetarëve në veri

sot-votohet-per-largimin-e-kryetareve-ne-veri

Sot, (e diel) do të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës.

Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në Komunën e Leposaviqit peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit të komunës e kanë nënshkruar 3 mijë e 30 persona. Prej tyre, 2 mijë e 905 është verifikuar se u përkasin banorëve të kësaj komune me të drejtë.

Me këtë shifër është plotësuar kërkesa prej 20 për qind, pasi kërkohej që të mblidheshin nënshkrimet e së paku 2 mijë e 689 personave.

Në Zubin Potok, nga 1 mijë e 576 nënshkrime, 1 mijë e 380 janë vërtetuar se u përkasin qytetarëve me të drejtë vote. Nga numri i përgjithshëm i votuesve, që peticioni të konsiderohej i vlefshëm në këtë komunë kërkoheshin që të mblidheshin së paku 1 mijë e 347 nënshkrime.

Ndërkohë, sa i përket peticionit në Zveçan, sipas KQZ-së, ai u nënshkrua nga 1 mijë e 834 persona dhe nga ky numër 1 mijë e 380 u vërtetuan se u përkisnin qytetarëve që kanë të drejtë vote në Zveçan. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej të mblidheshin së paku 1 mijë 347.

Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut u mblodhën 4 mijë 148 nënshkrime prej të cilave 3 mijë e 653 u përkisnin banorëve me të drejtë vote. Në këtë komunë kërkoheshin së paku 3 mijë e 640 nënshkrime në mënyrë që peticioni të konsiderohej i vlefshëm.

Mbledhja e nënshkrimeve në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, u bë janarin e këtij viti. Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet, të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023.

Ndërkohë, votimi i sotëm organizohet në bazë të Udhëzimit Administrativ që hartoi Qeveria e Kosovës, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të Kosovës të shkarkohet.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.

Zgjedhjet e fundit lokale, në prill të vitit 2023, u mbajtën në kontejnerë, për shkak se drejtorët e institucioneve arsimore nuk dhanë leje që qendrat e votimit të hapeshin në ambientet e tyre – gjë që ishte praktikë më herët. Institucionet arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë punojnë nën sistemin serb.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 18 prill se policia apo Ministria e Brendshme janë të gatshme t’i ndihmojnë KQZ-së për të organizuar një votim të mirë dhe paqësor

Related posts

RMV; Han: Parti, bashkëpunoni që të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian!

rezart morina

Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese para votimit në maj

admin

Shefi ushtarak i Mianmarit zotohet se do ta shtypë rezistencën

rezart morina