Emigrantët rusishtfolës, një faktor kyç në garën e ashpër të 27 tetorit
Zgjedhjet parlamentare izraelite të 27 tetorit pritet të jenë ndër më vendimtaret në historinë e vendit. Pas luftërave në Gaza, Liban dhe Iran, si edhe pas krizës së thellë politike të shkaktuar nga sulmet e 7 tetorit 2023, kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me sfidën më të vështirë të karrierës së tij.
Në qendër të kësaj beteje ndodhet një grup votuesish që po fiton gjithnjë e më shumë peshë: emigrantët rusishtfolës. Rreth 250 mijë persona, të ardhur kryesisht nga Rusia, Ukraina dhe republikat e tjera ish-sovjetike pas vitit 2014, përbëjnë atë që mediat izraelite e quajnë “aliyah-u i Putinit”.
Analistët vlerësojnë se votat e tyre mund të përkthehen në tre ose katër vende në Kneset, një numër i vogël në pamje të parë, por potencialisht vendimtar në sistemin politik izraelit.
Sipas sondazheve, shumica e këtyre emigrantëve mbështesin forcat e qendrës dhe të qendrës së majtë.
Një studim i kryer mbi më shumë se 600 izraelitë rusishtfolës zbuloi se 73 për qind e tyre e konsiderojnë veten politikisht të moderuar. Vetëm 13 për qind e atyre që votuan në vitin 2022 mbështetën partitë e koalicionit qeverisës, ndërsa 40 për qind vazhdojnë të mbeten të pavendosur.
Megjithatë, panorama politike ka ndryshuar ndjeshëm pas sulmeve të Hamasit. Çështjet e sigurisë janë rikthyer në qendër të debatit publik, duke shtyrë një pjesë të votuesve drejt krahut të djathtë.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje për Netanyahun, pasi shumë izraelitë e konsiderojnë atë përgjegjës për dështimet e 7 tetorit. Në qershor, Kneset-i nisi procedurat për shpërbërjen e parlamentit, ndërsa zgjedhjet u caktuan për në fund të tetorit.
Sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve nuk besojnë se Izraeli ka arritur një fitore të qartë në luftërat e viteve të fundit. Rreth 57 për qind mendojnë se objektivat kryesorë nuk janë përmbushur, ndërsa 73 për qind besojnë se rreziku i sulmeve të reja mbetet ende i lartë.
Përveç sigurisë, një tjetër çështje që ka përçarë shoqërinë izraelite është reforma në drejtësi. Qindra mijëra njerëz dolën në protesta kundër planeve të qeverisë, duke i konsideruar ato një kërcënim për demokracinë dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Debati mbetet ende i hapur dhe pritet të ndikojë ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve. Një burim tjetër tensioni është ligji për rekrutimin ushtarak të hebrenjve ultraortodoksë. Për dekada me radhë, shumë studentë të shkollave fetare janë përjashtuar nga shërbimi ushtarak.
Por lufta e gjatë dhe mungesa e personelit në ushtri kanë rritur presionin për një shpërndarje më të drejtë të barrës. Kjo çështje ka thelluar përçarjet brenda koalicionit qeverisës dhe ka vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale të Netanyahut.
Disa parti fetare kanë kërcënuar se do të braktisin bashkëpunimin me Likudin, ndërsa opozita po përpiqet të krijojë një front të përbashkët. Në anën tjetër, vetë Netanyahu vazhdon të përballet me procese gjyqësore për korrupsion, mashtrim dhe shpërdorim besimi.
Debati mbi një falje të mundshme presidenciale ka ndezur polemika të reja, duke e kthyer çështjen në një temë qendrore të fushatës. Pavarësisht përvojës së tij të gjatë politike, fati i Netanyahut mbetet i pasigurt. As koalicioni qeverisës dhe as opozita nuk duket se janë në gjendje të sigurojnë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhshme.
Në këtë klimë pasigurie, disa mijëra vota mund të bëjnë diferencën. Për këtë arsye, vëmendja e partive është përqendruar te komuniteti rusishtfolës, i cili mund të përcaktojë jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve, por edhe drejtimin që do të marrë Izraeli në vitet e ardhshme. tesheshi

