RTV AHIRETI
Pytje & Përgjigje

A është i lejuar ndërmjetësimi përmes web-it mes qendrave tregtare dhe blerësve ku shiten veshje për femra, e që përdorimi i tyre mundet me qenë haram?

a-eshte-i-lejuar-ndermjetesimi-permes-web-it-mes-qendrave-tregtare-dhe-bleresve-ku-shiten-veshje-per-femra,-e-qe-perdorimi-i-tyre-mundet-me-qene-haram?

Pyetja:

A është i lejuar ndërmjetësimi mes qendrave tregtare dhe blerësve (përmes web-it ku është ngritur një shopping mall i madh) ku shiten veshje për femra, e që përdorimi i tyre mundet me qenë i ndaluar – haram (nëse vishen në prani të meshkujve të huaj, për shkak se janë të ngushta, të shkurtëra, apo të tejdukshme)? Kjo çështje është shumë me rëndësi për mua, sepse nuk dua të jam pjesëmarrës në mëkatet për shkak të veshjeve që femrat zgjedhin vet me i blerë, thjesht unë po ua lehtësoj blerjen.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.

Sa i përket ndërmjetësimit në shitblerje, një gjë e tillë është e lejuar përderisa tregtia bëhet me gjëra të lejuara dhe nuk ka ndonjë ndalesë sheriatike në atë tregti. Si e tillë, ndërmjetësuesit i lejohet që për punën e tij si ndërmjetësues të kërkojë kompenzim, qoftë nga shitësi, apo nga blerësi, apo edhe nga të dytë në të njëjtën kohë, varësisht se si qëndron marrëveshja ndërmjet tyre. E nëse për një gjë të tilëë nuk ka marrëveshje, atëherë në këtë situatë veprohet në përputhje me zakonin e tregtarëve, apo kompenzimin e merr prej atij, për të cilin ndërmjetëson. Ndërsa sa i përket ndërmjetësimit në gjëra të cilat kanë dy përdorime; hallall – të lejuar dhe haram- të ndaluar, më konkretisht rrobave që shiten aty, themi se këto rroba mund ta kenë njërin prej tri përdorimeve:
– Përdorim të lejuar (hallall) të papërzier me haram. Në këtë rast lejohet shitja e këtyre rrobave, gjegjësisht edhe të ndërmjetësohet në shitjen e rrobave të tilla.
– Përdorim vetëm të ndaluar (haram), fjala vjen rroba të cilat nuk e mbulojnë trupin e femrës sipas sheriatit dhe ato rroba nuk veshen ndryshe vetëm se nëpër ahengje të përziera gra dhe burra. Në këtë rast nuk lejohet shitja e këtyre rrobave, gjegjësisht nuk lejohet as qepja e tyre dhe as ndërmjetësimi në shitjen e rrobave të tilla.
– Përdorim të përzier; edhe hallall edhe haram. Fjala vjen nëse të njëjtat rroba që nuk e mbulojnë trupin e femrës sipas sheriatit veshen edhe nëpër ahengje të përziera; gra dhe burra, por edhe në ahengje vetëm të grave, apo ato rroba gruaja i vesh edhe kur është në shtëpi edhe kur del jashtë shtëpisë. Në këtë rast duhet të shikojmë se cili përdorim ka shtrirje më të gjerë; nëse përdorimi i tyre hallall është më i theksuar, atëherë nuk ndalohet shitja e tyre dhe as ndërmjetësimi në shitjen e rrobave të tilla. E nëse përdorimi i tyre haram është më i theksuar, atëherë më mirë është të mos shiten rroba të tilla dhe të mos ndërmjetësohet në shitjen e rrobave të tilla. Allahu e di më së miri.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Related posts

A lejohet të luajmë me telefon gjatë hutbes?

admin

A lejohet të shkoj në haxh nëse kam ende borxh për veturë apo shtëpi?

admin

A i lejohet punonjës të vesh këmishë me logon e kompanisë mbi mbulesë?

admin