RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Aktivistët e klimës zotohen të vazhdojnë protestat kundër minierës së qymyrit në Gjermani

aktivistet-e-klimes-zotohen-te-vazhdojne-protestat-kunder-minieres-se-qymyrit-ne-gjermani

Aktivistët gjermanë të klimës u zotuan të vazhdojnë protestat kundër minierës së qymyrit në fshatin perëndimor Lutzerath, pasi dhjetëra protestues u plagosën në ndërhyrjen e rëndë të policisë të shtunën, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të vazhdojmë rezistencën tonë në ditët në vijim”, tha për AA Mara Sauer, zëdhënëse e aktivistëve, duke shtuar se planet për zgjerimin e minierës së qymyrit kërcënojnë qëllimet mjedisore dhe klimatike.

“Ne po qëndrojmë në Lutzerath. Nxjerrja e qymyrit këtu duhet të ndalet. Ky është burimi i krizës klimatike. Kjo duhet të ndalet”, tha ajo.

Më shumë se 1.500 oficerë policie janë vendosur në zonë që nga e marta për të dëbuar me forcë aktivistët e klimës nga shtëpizat e pemëve dhe ndërtesat që ata pushtuan në Lutzerath, për të hapur rrugën për zgjerimin e një miniere qymyri aty pranë.

Policia largoi qindra aktivistë nga fshati në dy ditët e fundit, por disa aktivistë ende po i rezistojnë dëbimit në shtëpizat në pemë dhe tunelet nëntokësore.

Të shtunën, mijëra demonstrues morën pjesë në një tubim pranë fshatit për të protestuar kundër qeverisë gjermane dhe planeve të zgjerimit të minierës së qymyrit, ndërsa organizatorët thanë në turmë morën pjesë 35 mijë njerëz.

Dhjetëra aktivistë të klimës u plagosën pasi policia përdori sprej piper dhe shkopinj për të shpërndarë demonstruesit. Aktivistët akuzuan policinë për përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve paqësorë.

Lutzerath u pushtua nga aktivistët kundër qymyrit për dy vjet dhe u bë simbol për grupet mjedisore që kërkonin t’i jepet fund përdorimit të qymyrit dhe lëndëve djegëse fosile.

Grupet mjedisore kishin shpresuar se fshati do të kursehej nga gërmimet pasi koalicioni i qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz, përfshirë partinë e Gjelbër pro-mjedisit, mori detyrën në vitin 2021, e cila ishte zotuar të heqë gradualisht përdorimin e qymyrit.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, megjithatë, shkaktoi një krizë energjetike, duke e detyruar Berlinin të rifillojë termocentralet e qymyrit për të siguruar nevojat e vendit për energji.

Kompania gjermane e energjisë RWE po planifikon të shkatërrojë fshatin për të zgjeruar minierën e qymyrit Garzweiler për të nxjerrë 280 milionë tonë linjit deri në vitin 2030. /aa

Related posts

Policia parandalon tri raste, dy kontrabandë me mallra e një falsifikim dokumenti

admin6

Hungaria i jep leje kompanisë ruse për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë

admin

SHBA nuk ka vendim për të ndalur ose kushtëzuar ndihmën ushtarake për Izraelin

admin