Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se do të bëjnë çmos për të mbrojtur të gjithë azerbajxhanasit në botë, përfshirë edhe ata në Iran, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një konferencë ndërkombëtare e titulluar “Përgjatë Korridorit të Mesëm: Gjeopolitika, Siguria dhe Ekonomia” u mbajt në Universitetin ADA në kryeqytetin Baku.
Në konferencë morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të grupeve kryesore të mendimit të SHBA-së, Belgjikës, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Francës, Izraelit, Zvicrës, Italisë, Gjeorgjisë, Kanadasë, Egjiptit, Pakistanit, Polonisë, Rumanisë, Rusisë dhe Turqisë.
Në konferencën ku u diskutua për dimensionin e sigurisë së Korridorit të Mesëm dhe mundësitë ekonomike të rajonit, u diskutua për rëndësinë e korridorit të Zangezurit, mundësitë e reja të transportit të krijuara nga korridori Lindje-Perëndim si dhe zgjerimi dhe diversifikimi i transportit ndërkombëtar të mallrave.
“Duhej të bënim stërvitje ushtarake për të treguar se nuk kemi frikë prej tyre”
Në fjalën e hapjes së konferencës, presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev tha se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe vendosjes së marrëdhënieve të mira me vendet e rajonit.
Duke iu referuar marrëdhënieve me Iranin, Aliyev tha: “Kam punuar me tre presidentë të Iranit; (Muhamed) Khatami, (Mahmud) Ahmadinejad dhe (Hasan) Rouhani. Gjatë gjithë këtyre viteve, asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Deklaratë urrejtëse dhe kërcënuese nuk është bërë kurrë kundër Azerbajxhanit. Irani kreu dy stërvitje ushtarake në kufirin tonë brenda pak muajsh”.
Aliyev tha se gjithmonë u përgjigjen të gjitha llojeve të deklaratave dhe veprimeve kundër Azerbajxhanit. “Për këtë shkak na u desh të bënim stërvitje ushtarake në kufirin iranian për të treguar se nuk kemi frikë prej tyre. Ne do të bëjmë çmos për të mbrojtur stilin e jetës laike të Azerbajxhanit dhe azerbajxhanasve në mbarë botën, përfshirë edhe ata në Iran. Ata janë pjesë e popullit tonë”, tha ai.