RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Analistët: S’priten rezultate nga takimi i Ambasadës së SHBA-ve për Asociacionin

analistet:-s’priten-rezultate-nga-takimi-i-ambasades-se-shba-ve-per-asociacionin

Takimi i 31 janarit, i thirrur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me partitë politike dhe shoqërinë civile në Kosovë, po konsiderohet si pikënisje e ndërtimit dhe përmbajtjes së modalitetit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ndonëse nuk presin shumë rezultat nga ky takim, analistët thonë se formimi i Asociacionit i hap rrugë diskutimit për planin franko-gjerman.

Skeptik për arritjen e ndonjë marrëveshje në këtë takim, është shprehur analisti politik, Afrim Kasolli.

Ai thotë se formimi i Asociacionit është obligim i shtetit të Kosovës dhe, si i tillë duhet të formohet.

Ai ka përmendur edhe kërkesën e ShBA-së që kjo marrëveshje ndërkombëtare të shkojë drejt fundit.

“Ky takim është në vazhdën të këtyre përpjekjeve diplomatike dhe politike të ShBA-së që ta krijojnë klimën me partitë politike, me shoqërinë civile, që të punohet në atë drejtim që të shkohet drejt themelimit të tij. Natyrisht deri më tani kemi parë një qëndrim dual të kryeministrit në raport me këtë temë, në njërën anë ai thotë që nuk do ta zbatoj Bashkësinë e Komunave por në anën tjetër ai ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel me të cilat obligohet t’i zbatoj të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani”, thotë Kasolli, raporton EO.

“Me tepër e shohë këtë takim si nisjen e një e një procesi që ShBA-ja të punojë më gjithë faktorët politikë dhe publikë në Kosovë që të krijohet klima që të shkohet në atë drejtim drejtë themelimit të kësaj bashkësie, sipas administratës amerikanë fillimisht duhet të themelohet bashkësia me që është obligim i Kosovës, pastaj të kalohet në diskutimin për planin franko-gjerman. Strategjia e qeverisë është tentimi që të zvarritet ky proces dhe të mos marrin përgjegjësi politike dhe juridike”, thotë tutje Kasolli.

Kasolli thotë se Kosova i rrezikon raportet me ShBA-në, nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet. Ai përmend edhe përshkallëzimin e situatës në veri, nëse kjo çështje nuk mbyllet.

“Nëse nuk pranohet dhe vihet deri tek një tension ndërmjet pushtetit dhe administratës së ShBA-së, atëherë mund të vazhdojmë deri tek një bllokadë më e madhe që qeveria do të paralizohet që të funksionin dhe t’i ushtroj si duhet detyrat e saj politike. Këtu nuk përjashtohen as skenar, situata në veri përsëri mund të përshkallëzohet edhe të radikalizohet nëse qeveria e Kosovës nuk demonstron vullnet për ta vendosur në binar politikë themelimin e Bashkësisë së Komunave”, thotë Kasolli për EO.

Por shumë rezultate nga ky takim nuk pret analisti tjetër politik, Albinor Maloku. Thotë se aty do të diskutohet vetëm për modalitet e formimit të Asociacionit.

“Ky me siguri do të jetë një diskutim që faktikisht edhe qeveria po merr pjesë në një formë ose tjetër përmes një anëtari të saj që ka të bëjë me ministrin Rashiq, pavarësisht faktit që nga aspekti i votës nuk është që përfaqëson elektoratin, qoftë edhe për brenda Qeverisë, mirëpo do ta ketë fjalën e vetë. Faktikisht ky do të jetë vetëm diskutim informues për modalitetin dhe format se si do të duket ky Asociacion në të ardhmen”, tha ai.

Maloku u shpreh se Kosova nuk e ka as një mundësi t’i thotë jo formimit të Asociacionit përveç që të gjejë modalitete ma të mira të mundshme.

“Për Kosovën ky është bërë problem urgjent për tu zgjidhur, siç e thonë edhe diplomat amerikanë dhe Kosova këtu nuk ka as një mundësi të thotë jo përveç që të gjejë modalitete ma të mira të mundshme për ta jetësuar dhe formuar Asociacionin në fjalë. Pritjet thelbësore nga ky takim do të jenë që të flitet për modalitet e formimit të Asociacionit, jo a duhet të formohet, por për modalitet se çfarë do të përmbajë, cilat do të jenë format dhe ky do të jetë thelbi i këtij diskutimi”, u shpreh Maloku.

Related posts

Tajvani pretendon se në zonën e tij detektoi 22 avionë luftarakë kinezë dhe 20 luftanije

rezart morina

Rritet numri i lindjeve të parakohshme

admin

Osmani takohet me Maqedoncin e Jasharin, i përgëzon për angazhimin në misionin e mbrojtjes

rezart morina