Gjykata e Apelit ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për hudhjen e aktakuzës ndaj pesë të akuzuarve E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve G.R, G.J dhe Xh.S, të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në gusht të vitit 2022.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Apeli, ku thuhet se me aktvendimet PN.nr.71/2023 dhe PN.nr.85/2023, janë aprovuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për të Mitur, me aktvendimet PN.nr.71/2023 dhe PN.nr.85/2023, ka aprovuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur dhe ka anuluar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, më të cilat janë hedhur si jo të plota aktakuza PP/I.nr.685/22 e datës 21.12.2022, pika IV dhe VIII, si dhe aktakuza PP.I.nr.663/2022, përkatësisht propozimi PPM.nr. 444/2022 i datës 08.12.2022”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimor të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje.
“Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës”, thuhet në njoftim.
Dje u raportua se Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj pesë të akuzuarve, me arsyetimin se aktakuza, përkatësisht propozimi në gjashtë pika është i pa plotë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 8 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.