RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Arabia Saudite dhe Irani bien dakord të rihapin ambasadat, të rifillojnë fluturimet dhe të lehtësojnë vizat

arabia-saudite-dhe-irani-bien-dakord-te-rihapin-ambasadat,-te-rifillojne-fluturimet-dhe-te-lehtesojne-vizat

Shefat e diplomacisë të Arabisë Saudite dhe Iranit janë takuar në Kinë për herë të parë pas më shumë se shtatë vitesh, ku ranë dakord për rihapjen e ambasadave, rifillimin e fluturimeve, si dhe për lehtësimin e dhënies së vizave, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga të dyja palët thuhet se ministri saudit i Punëve të Jashtme, Princi Faisal bin Farhan Al Saud u takua me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, në kryeqytetin Pekin.

“Të dy palët theksuan rëndësinë e ndjekjes së zbatimit të Marrëveshjes së Pekinit dhe aktivizimit të saj në një mënyrë që zgjeron besimin e ndërsjellë dhe fushat e bashkëpunimit, si dhe ndihmon në krijimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”, thuhet në deklaratën e përbashkët, duke iu referuar marrëveshjes midis dy palëve të ndërmjetësuar nga Kina muajin e kaluar.

Ata ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin në “çdo fushë që mund të garantojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, si dhe të realizojë interesat e kombeve dhe vendeve”.

Muajin e kaluar, Pekini ishte nikoqir i zyrtarëve nga Riadi dhe Teherani, ku ranë dakord të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike.

Deklarata e përbashkët trepalëshe nga Kina, Irani dhe Arabia Saudite e lëshuar në atë kohë tha se shefat e diplomacisë do të punojnë në modalitetet e rihapjes së misioneve diplomatike deri më 10 maj, respektivisht brenda dy muajve.

Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë marrëdhëniet në vitin 2016 pasi ambasada saudite në Teheran u sulmua nga një turmë e zemëruar pas ekzekutimit të një kleriku shiit saudit.

Duke filluar nga prilli i vitit 2021, të dy palët morën pjesë në bisedimet maratonë të lehtësuar nga Iraku dhe Omani, por ishte ndërhyrja kineze që rezultoi në një përparim muajin e kaluar.

Deklarata e përbashkët e lëshuar sot tha se të dy palët “ranë dakord të rihapin ambasadat brenda një kohe dhe të marrin masat e nevojshme për të hapur konsullatat në Jeddah dhe Mashhad”.

Riadi dhe Teherani gjithashtu “ranë dakord të vazhdojnë koordinimin e nevojshëm ndërmjet delegacioneve teknike për të shqyrtuar rifillimin e fluturimeve dhe udhëtimeve të ndërsjella të delegacioneve zyrtare dhe sektorit privat, duke lehtësuar edhe dhënien e vizave për qytetarët e dy vendeve, përfshirë vizat e Umres dhe Haxhit”.

Shefat e diplomacisë saudite dhe iraniane po ashtu zhvilluan takime me homologun e tyre kinez, Qin Gang, të cilin e falënderuan për ndërmjetësimin e Pekinit.

“Duke pasur parasysh burimet natyrore dhe aftësitë ekonomike dhe mundësitë e shumta që ekzistojnë për të realizuar interesat e përbashkëta të dy kombeve vëllazërore, të dyja palët po rrisin takimet konsultative dhe diskutimet për mënyrat e bashkëpunimit për të realizuar sa më shumë perspektiva pozitive në marrëdhëniet”, theksoi deklarata e përbashkët.

Shefat e diplomacisë gjithashtu theksuan “gatishmërinë e tyre për të eliminuar të gjitha pengesat me të cilat përballet zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve”.

Related posts

Afganistani shënon 43 vjetorin e pushtimit nga Bashkimi Sovjetik

admin

Kryeministri hungarez: BE-ja ka nevojë për strategji të re për t’u marrë me luftën Rusi-Ukrainë

admin

Chollet mbërrin në Kosovë, takohet me Osmanin

admin