Gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdon këtë të martë me deklaratat hyrëse nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve.
Të hënën u dëgjuan Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa sot do të dëgjohen secili nga katër ekipet e mbrojtjes.
Në ditën e parë të seancës, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta.
Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.