Si pasojë e luftës së Moskës në Ukrainë, 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) deri më tani kanë ngrirë mbi 200 miliardë euro asete të Bankës Qendrore të Rusisë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Komisioni Evropian, Christian Wigand, në një konferencë të rregullt për media të mbajtur në Bruksel, foli lidhur me asetet e Bankës Qendrore të Rusisë që BE-ja ka ngrirë deri më sot për shkak të luftës.
Në kuadër të paketës së 10-të të sanksioneve që BE-ja zbaton aktualisht, tha Wigand, institucioneve në shtetet anëtare u është bërë e detyrueshme që deri më 12 maj të raportojnë në Komisionin Evropian asetet dhe rezervat që i janë bllokuar Bankës Qendrore të Rusisë.
“Vendet anëtare të BE-së i kanë raportuar Komisionit (Evropian) se Bankës Qendrore të Rusisë i kanë ngrirë asete që tejkalojnë shumën mbi 200 miliardë euro”, tha Wigand.
Wigand njoftoi se janë të vendosur ta bëjnë Rusinë të paguajë çmimin e dëmit që i ka shkaktuar Ukrainës dhe se për këtë çështje vazhdojnë punimet në mënyrë intensive.
Duke theksuar se burimet e Bankës Qendrore të Rusisë janë një nga opsionet për përdorimin e aseteve të ngrira ruse në Ukrainë, Wigand tha se interesi i këtyre aseteve mund të përdoret për Ukrainën.
Ai tha se mënyra se si do të trajtohen asetet ruse po vlerësohet nga një grup pune që është krijuar brenda strukturës së Këshillit të BE-së dhe se ky grup ka kryer edhe mbledhjen e fundit të tij.
Rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë në vendet Perëndimore, të cilat arrijnë në gjithsej 300 miliardë dollarë, janë ngrirë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.