Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan sot mandatin negociues të Këshillit të BE-së për një ligj të ri që do të prezantojë aplikacion dixhital për udhëtime në BE, duke hapur rrugën që udhëtarët të paraqesin të dhënat e tyre të udhëtimit para se të mbërrijnë në kufijtë e jashtëm, transmeton Anadolu.
Rregullorja e miratuar nga përfaqësuesit e shteteve anëtare në Coreper, përcakton rregullat për krijimin vullnetar të kredencialeve dixhitale të udhëtimit dhe përdorimin e tyre gjatë kalimit të kufijve të jashtëm të BE-së, sipas një deklarate.
Sipas planit, udhëtarët do të jenë në gjendje të japin paraprakisht në mënyrë dixhitale informacionin e tyre të udhëtimit, duke u mundësuar rojeve kufitare të verifikojnë nga distanca dokumentet e udhëtimit dhe të kryejnë kontrolle në bazat e të dhënave kufitare, të policisë dhe të migracionit para mbërritjes.
Zyrtarët e BE-së thonë se kjo do të shkurtojë kohën e pritjes dhe do të forcojë kontrollin e sigurisë në pikat kufitare. Sistemi dixhital do të përfshijë një aplikacion celular, një shërbim vlefshmërie në prapaskenë dhe një përcjellësh të dhënash për udhëtarët, eu-LISA.
Përmes komponentit celular, qytetarët e BE-së dhe shtetasit e vendeve të treta do të jenë në gjendje të krijojnë kopje dixhitale të të dhënave të ruajtura në pasaportën ose kartën e identitetit të tyre, megjithëse pjesëmarrja do të mbetet opsionale.
Sistemi i shërbimit të vlefshmërie në prapaskenë (backend system) do të verifikojë elektronikisht çipin e një dokumenti udhëtimi për të konfirmuar që versioni dixhital korrespondon me një dokument autentik. Përcjellësi i dhënave për udhëtarët (Router) do t’u lejojë përdoruesve të ndajnë në mënyrë të sigurt kredencialet e tyre dixhitale me autoritetet kufitare.
Udhëtarët që përdorin aplikacionin do të jenë në gjendje të paraqesin më parë dokumentet e tyre para udhëtimit të tyre, duke u lejuar oficerëve kufitarë të përqendrojnë burimet në rastet e shënuara si të dyshimta. Këshilli tha se mjeti do të mbështesë sistemet ekzistuese të menaxhimit të kufijve të BE-së. Udhëtarët duhet të jenë në gjendje të përdorin kredencialet e tyre dixhitale para se të paraqesin informacionin në sistemin e hyrjes/daljes, i cili u bë funksional në tetor 2025.
Sapo të lançohet ETIAS (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit) në vitin 2026, shtetasit jo të BE-së do të jenë në gjendje të mbështeten në kredencialet dixhitale kur aplikojnë për autorizim udhëtimi ose viza. Me miratimin e qëndrimit të saj, presidenca e këshillit tani është gati të fillojë bisedimet me Parlamentin Evropian pasi eurodeputetët të bien dakord për qëndrimin e tyre negociues.
Sipas Komisionit Evropian, 593 milionë kalime të kufijve të jashtëm të BE-së u regjistruan në vitin 2022, duke ushtruar presion mbi autoritetet kufitare dhe duke shkaktuar radhë të gjata për udhëtarët. Aplikacioni dixhital i udhëtimit synon ta lehtësojë këtë barrë duke thjeshtuar procedurat dhe duke përmirësuar kontrollet e autenticitetit të dokumenteve.

