Si pasojë e rrëshqitjes së tokës në Vietnam, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë zhdukur, ndërkohë një operacion kërkimi ka vazhduar gjatë ditës, transmeton Anadolu.
Siç raporton ‘Vietnam News’, Departamenti i Menaxhimit të Digave dhe Parandalimit të Fatkeqësive tha se gjithsej 14 persona mbeten të zhdukur ose kanë humbur jetën pasi shirat e rrëmbyeshëm dhe rrëshqitjet e tokës nga e diela kanë goditur Vietnamin.
Në provincën Khanh Hoa, deri më tani shtatë persona kanë vdekur dhe dy mbeten të zhdukur, me gjashtë nga vdekjet e raportuara pasi një autobus pasagjerësh u varros nga një rrëshqitje e tokës për shkak të shiut të rrëmbyeshëm të dielën në mbrëmje.
Autobusi, që transportonte 32 persona, përfshirë dy shoferë dhe një asistent, u godit nga një rrëshqitje e tokës teksa kalonte nëpër një pjese të prirur ndaj rrëshqitjeve të tokës në kalimin Khanh Le.
Ndërkohë, tre persona rezultojnë të zhdukur në qytetin Da Nang, ndërsa provincat Quang Tri dhe Thua Thien Hue secila raportuan nga një person të zhdukur teksa operacioni i kërkimit ka qenë në vazhdim.
Moti i keq gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha në prona dhe bujqësi, me gati 15 mijë shtëpi të përmbytura dhe rreth 5.900 njerëz të evakuuar në vende më të sigurta.

