Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, kanë reaguar mbi ngjarjen e fundit në veri të Kosovës, ku një zyrtar policor i Policisë së Kosovës ka mbetur i vdekur dhe një të tjetër i plagosur, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Begaj shkruan se dënon me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit.
“Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR-in dhe aleatët”, shkruan Begaj.
Presidenti Begaj thekson se Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.
Në reagimin e kryeministrit Rama të publikuar në rrjetet sociale thuhet se tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është kambana më e madhe e alarmit deri më sot “për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur”.
Rama shton se “Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”.
“Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit Rama, komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut të normalizimit.
Në lidhje me ngjarjen në veri të Kosovës ka reaguar edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili në rrjetet sociale shkruan se dënon me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës.
“Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”, shkruan Hasani.
Kujtojmë se në Bajnskë të Zveçanit një zyrtar policor mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas sulmit ndaj njësitit policor në veri.