RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe BotëSport

Benzina e Marokut shkruan histori në Kupën e Botës për futbolliste

benzina-e-marokut-shkruan-histori-ne-kupen-e-botes-per-futbolliste

Derisa po hynte në fushë për të luajtur për Marokun kundër Koresë së Jugut, në ndeshjen e xhiros së dytë të fazës grupore të Kupë së Botës për futbolliste, mbrojtësja Nouhaila Benzina po shkruante histori.

Ajo u bë futbollistja e parë që mbajti mbulesë (hixhab) derisa ishte duke luajtur në turneun global të futbollit për të rritura, ka shkruar “Associated Press” të dielën.

Ndalimi i FIFA-s për të luajtur me mbulesë në kokë për “arsye shëndetësore dhe të sigurisë” u pezullua në vitin 2014 pas ankesave të aktivistëve, sportistëve dhe qeverive, si dhe zyrtarëve të futbollit.

“Nuk kam dyshim se shumë e më shumë vajza të tjera myslimane do ta shikojnë Benzinan dhe do të inspirohen. Jo vetëm lojtaret, por mendoj edhe vendimmarrësit, trajnerët dhe sportet e tjera po ashtu”, ka thënë Assmaah Helal, bashkëthemeluese e Rrjetit të Grave Myslimane në Sport.

Benzina luan për klubin profesionist Association’s Sports of Forces Armed Royal, që shkurt njihet si AS Far. Kjo skuadër është tetë herë kampione e Marokut për futbolliste.

Ajo nuk luajti në ndeshjen hapëse të Marokut, humbjen 6:0 nga Gjermania në Melburn. U desh të priste edhe gjashtë ditë që më në fund ta ketë vendin e titullares në ndeshjen e Grupit H, që luajt në Adelaide.

Ia vlejti.

“Luaneshat e Atlasit”, siç njihen futbollistet e Marokut, luajtën me më shumë liri në ndeshjen kundër Koresë së Jugut. Shënuan gol në minutën e gjashtë dhe e mbajtën rezultatin deri në fund për fitoren 1:0.

Benzina luajti rol të rëndësishëm në fazën defensive dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 81-të, për ndërhyrje kur Koreja e Jugut ishte në një kundërsulm të rrezikshëm.

Maroku është përfaqësuesja e parë arabe apo e Afrikës së Veriut që u kualifikua në Kupën e Botës për futbolliste.

“Jemi të nderuar që jemi përfaqësuesja e parë arabe që merr pjesë në Botërorin për Futbolliste”, u kishte thënë gazetarëve kapitenia e Marokut, Ghizlane Chebbak, para nisjes së Botërorit në Australi dhe Zelandë të Re.

“Ne e ndiejmë dhe e mendojmë se duhet të mbajmë përgjegjësi të madhe për të ofruar imazh të mirë, për të shfaqur arritjet e ekipit të Marokut”, ishte shprehur ajo.

Në grupin e Marokut është edhe Kolumbia. Kolumbia i prin Grupint H me gjashtë pikë. Gjermania dhe Maroku zënë pozitën e dytë dhe të tretë me nga tri pikë pas dy ndeshje.

Koreja e Jugut është e fundit, pa pikë. Ndeshjen e radhës Maroku e luan kundër Kolumbisë.

“Jemi të lumtura që përpjekjet tona u shpaguan. Kjo fitore është për Marokun dhe arabët. Është fryt i punës sonë të madhe”, ka thënë Ibtissam Jraidi, golashënuesja e vetme e Marokut. /koha

Related posts

SHBA-ja me ndihmë të re për Ukrainën në vlerë prej afër 3 miliardë dollarësh

admin

Rusia thotë se ka goditur objektet e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës

admin

Policia izraelite hodhi gaz lotsjellës në xhaminë Al-Aksa gjatë namazit të sabahut

RTI