RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Blinken mirëpret marrëveshjen për zbatimin e propozimit evropian

blinken-mirepret-marreveshjen-per-zbatimin-e-propozimit-evropian

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Blinken përmes një deklarate.

Kryediplomati amerikan përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për lidershipin e treguar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Blinken.

Kurti dhe Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 18 mars u pajtuan për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, shkruan REL.

Në këto negociata, që u mbajtën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Bashkimi Evropian tha se palët në takimin e Ohrit nuk e nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen, por u pajtuan që ta zbatojnë atë.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar më 27 shkurt për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Ky propozim, i përbërë prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Pas rundit të dialogut në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur nënkupton “njohjen e ndërsjellë de facto”.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, ka nisur më 2011. Ky proces synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Related posts

Fushata botërore ‘Noto me Gazën’ shtrin solidaritetin me palestinezët

Muhamet Ramadani

Osmani në Sofje, përpjekjet për të ulur tensionet e fundit

admin

Avokati nga Beogradi: Lista Serbe, Vuçiqi dhe Radoiçiqi po i persekutojnë serbët në veri të Kosovës

Muhamet Ramadani