Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, hodhi poshtë zërat për një takim të mundshëm mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe liderit të regjimit sirian, Bashar al-Assad, në samitin e ardhshëm të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur si i ftuar në televizionin Haber Global në kryeqytetin Ankara, Çavuşoğlu hodhi poshtë mundësinë e një takimi Erdoğan-Assad në samitin që pritet të mbahet më 15-16 shtator në Samarkand të Uzbekistanit, duke shtuar se Assad “nuk është ftuar” në ngjarje.
Çavuşoğlu nënvizoi gjithashtu se duhet të ndërmerren hapa për paqen e qëndrueshme në Siri, duke shtuar se regjimi nuk duhet ta konsiderojë opozitën si terroriste.
“Turqia ka thënë që në fillim se procesi më i rëndësishëm është ai politik”, tha ai.
Ai shtoi se Turqia në Siri ndjek një politikë “të orientuar drejt rezultatit”, duke theksuar rëndësinë e integritetit territorial të vendit dhe nevojën për eliminimin e organizatave terroriste. /aa