RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Çështja e targave dhe zhvillimet në veri, Bislimi dhe Petkoviq sot në Bruksel

ceshtja-e-targave-dhe-zhvillimet-ne-veri,-bislimi-dhe-petkoviq-sot-ne-bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar mbrëmë drejt Brukselit.

Edhe pse nga Qeveria e Kosovës nuk ishin dhënë detaje për shkuarjen e Bislimit në Bruksel, kjo u konfirmua si fillim nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.

Borrell theksoi se Bislimi udhëton për në Bruksel dhe se duhet gjetur një zgjidhje para datës 21 nëntor, datë kjo kur do të fillojë edhe shqiptimi i gjobave në veri të vendit, për serbët të cilët nuk kanë konvertuar targat e automjeteve në RKS.

“Kryenegaociatorët do të fillojnë të punojnë këtu në Bruksel për hapat e ardhshëm. Ata do të fillojnë të punojnë sonte. Pala kosovare është duke mbërritur sonte. Jam i gatshëm t’i mbledhë liderët nëse negociatorët ia dalin të gjejnë zgjidhje praktike para afatit të 21 nëntorit” ka thënë Borell.

Por në Bruksel bashkë me Bislimin këtë herë ka udhëtuar edhe një përfaqësuese e Luginës. Këshilltarja e kryeministrit Kurti, për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani theksohet të ketë udhëtuar bashkë me Bislimin, anipse një gjë e tillë nuk u konfirmua ende nga Qeveria e Kosovës.

Kjo është hera e parë që një figurë politike nga Lugina e Preshevës është e përfshirë direkt në dialogun Kosovë-Serbi.

Në Bruksel sot pritet të takohen Bislimi dhe përfaqësuesi i Serbisë për dialogun, Petar Petkoviq.

Kjo është hera e parë që Bislimi dhe Petkoviq takohen pas situatës së krijuar në kuadër të marrëveshjes për targat.

Qeveria e Kosovës mori vendim që që të mos ketë shtyrje të afatit të konvertimit të targave që përfundonte më 31 tetor, por ndryshe nga kjo kryeministri Kurti mori vendim që vendimi të ndryshohet paksa por jo të ndërpritet krejtësisht.

Kësisoj, Qeveria mori vendim që si fillim serbëve të cilët nuk kanë ri-regjistruar automjetet t’u shqiptohen fletëqortime, e më pas nga 21 nëntori të vazhdohet me gjoba nga 150 euro.

Por ishin pikërisht këto fletëqortime që ndikuan në zhvillimet e shumta në veri. Si fillim drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq u suspendua pasi i njëjti raportohet të ketë sabotuar punën që lidhej me lëshimin e këtyre fletëqortime.

Por serbët nuk u pajtuan me një vendim të tillë e pas tij dorëheqje dhanë edhe mbi 600 zyrtarë policorë të tjerë nga nacionaliteti serb.

Në kuadër të dorëheqjeve pati edhe ndryshime të shumta nga politika. Lista Serbe njoftoi për dorëheqje nga institucionet drejtuese në Kosovë, e njësoj vepruan edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Nisjes së dorëheqjeve iu bashkuan edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë nga Dogana e Kosovës të nacionalitetit serb, zyrtarë të KQZ-së e shumë të tjerë.

Përderisa zhvillime të njëpasnjëshme kishte në veri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian bëhej thirrje që çdo situatë të zgjidhet përmes dialogut.

Në kuadër të kësaj, Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që menjëherë të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kundërshtoi edhe njëherë hapur ditë më parë kryeministri Albin Kurti.

Gjatë gjithë këtyre muajve, kryeministri Albin Kurti kishte bërë thirrje që serbët të cilët jetojnë në Kosovë të bëjnë konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS. Por numri i atyre që konvertuan këto targa ishte tejet i ulët. Madje kishte prej tyre të cilët edhe u kërcënuan, duke iu djegur veturat, lokalet e deri tek kërcënime të tjera si shkak i konvertimit të këtyre targave.

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e ngjashme, derisa sot në Bruksel pritet që me ndërmjetësimin e përfaqësuesit Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të diskutohet edhe gjetja e një zgjidhje për targat, si dhe për veriun në përgjithësi.

Related posts

Presidenti uzbek njofton planet për zgjerimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait

admin

Irani uron Arabinë Saudite për DItën Kombëtare

rezart morina

Turqia: Suedia dhe Finlanda asnjë progres në plotësimin e kushteve tona për anëtarësim në NATO

admin