Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ka arritur në Shqipëri.
Ai në aeroportin e Rinasit është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka publikuar edhe një fotografi me Clintonin.
“Rinas – Me presidentin Bill Clinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri. Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët”, ka shkruar Rama, përcjell teve1.info
Sipas agjendës, në orën 19:00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.
Në orën 19:05, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin Clinton të marrë çmimin e akorduar.
Ndërsa, në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.
Ndryshe, rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë të mbushura me flamuj amerikanë dhe shqiptarë, sakaq një pankartë e madhe me foton e Clinton dhe mbishkrimin “Mirë se erdhe zoti President!” është varur mbi fasadën e Politeknikut.
Bill Clinton si presidenti i 42-të i SHBA-së ka qenë ndër njërzit kyç për çlirimin e Kosovës nga regjimi i Serbisë.
Ai kishte dhënë lajmin që forca më e fuqishme ushtarake në bot, NATO kishte vendosur që të bombardojë Serbinë, pasi kishte kryer vrasje, masakra e dëbime nga Kosova të qytetarëve.