Birzeiti, në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor nën pushtimin izraelit, ishte pritës i një aktiviteti të veçantë kulturor që synon të mbajë gjallë traditat, këngët dhe folklorin e dasmave palestineze që po harrohen, transmeton Anadolu.
Dasma tradicionale palestineze, e organizuar me temën “Udhëtim në kohë”, u bë simbol i lidhjes së popullit me kulturën, identitetin dhe tokën e tij në një periudhë të dhimbshme për shkak të sulmeve, bllokadës, bastisjeve dhe pushtimit izraelit.
Në aktivitetin e zhvilluar në skenën “Shtëpia e Çajit”, në pjesën historike të Birzeitit, dhëndri, nusja, grupet e valleve popullore dhe të ftuarit krijuan një tablo nostalgjike.

Gratë në dasmë veshën fustane tradicionale shumëngjyrëshe me qëndisje, që pasqyrojnë zona të ndryshme gjeografike të Palestinës, ndërsa dhëndri u shëtit mbi kalë sipas traditës. Pjesëmarrësit përjetuan momente të paharrueshme nën tingujt e këngëve dhe valleve debke.
“Populli palestinez është i dashuruar me jetën”
Ish-ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mey el-Keyle, e cila mori pjesë në aktivitet, tha për Anadolu se Birzeiti është një nga qendrat e rëndësishme të kulturës palestineze dhe se dasmat tradicionale krijojnë hapësirë për gëzim, por edhe forcojnë identitetin kulturor.
Duke theksuar se veshjet tradicionale me motive të ndryshme pasqyrojnë pasurinë gjeografike të Palestinës, Keyle tha se ruajtja e këtyre vlerave është pjesë e pandashme e mbrojtjes së identitetit.

Ajo theksoi se aktiviteti përcjell një mesazh të fuqishëm për të gjithë botën:
“Populli palestinez meriton të jetojë dhe të gëzohet, është një popull i dashuruar me jetën. Pavarësisht luftës së gjenocidit në Rripin e Gazës dhe të gjitha kushteve të vështira në Bregun Perëndimor, ne jemi të lidhur me tokën tonë. Jemi të vendosur; gëzohemi, jetojmë dhe martojmë fëmijët tanë.”
Keyle shtoi se këtë vit do të zhvillohen shumë dasma dhe se kjo është një tjetër mënyrë për të dëshmuar ekzistencën e familjeve palestineze dhe historinë e tyre të rrënjosur në këto toka.

“Trashëgimia jonë është identiteti dhe krenaria jonë”
Mahmud Abdlmuti, i cili mori pjesë në aktivitet nga fshati el-Mezra el-Garbiyye me veshjen tradicionale, tha se ruajtja e trashëgimisë kulturore, pavarësisht të gjitha tragjedive dhe plagëve të shkaktuara nga Izraeli, është përgjegjësi kombëtare.
Duke folur për rëndësinë e përcjelljes së kulturës palestineze te brezat e ardhshëm, ai tha: “Ne i mbajmë gjallë traditat tona sepse trashëgimia jonë është lidhja jonë me identitetin. Trashëgimia jonë është identiteti dhe krenaria jonë. Duhet t’u prezantojmë brezave të ardhshëm historinë dhe identitetin tonë dhe të mbrojmë të kaluarën e rrënjosur të popullit tonë.”
Kultura popullore palestineze, me veshjet e qëndisura, këngët tradicionale, vallet debke dhe traditat e saj të lashta shoqërore, vazhdon të jetë një nga simbolet më të fuqishme të ekzistencës në territoret nën pushtimin izraelit.
Dasma me temën “Udhëtim në kohë”, e organizuar në Birzeit, dëshmoi edhe një herë vullnetin për ta përcjellë këtë trashëgimi te brezat e ardhshëm.


