Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, ka brohoritur disa herë “Palestina e lirë” gjatë një fjalimi në një pritje me rastin e 100-vjetorit të një shkolle islame, transmeton Anadolu.
Gjatë aktivitetit, ambasadori palestinez në Indonezi, Abdulfattah A.K. Al-Sattari, i dhuroi presidentit Prabowo një kefijeh. Pasi e mori atë, presidenti indonezian u kthye në foltore dhe u pa duke fshirë sytë me shaminë.
Më pas, Prabowo brohoriti disa herë “Palestina e lirë”.
Ai gjithashtu tha se nëse Indonezia është “e fortë”, atëherë “mund t’i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona që shtypen nga një regjim tjetër”.
Prabowo tha se sulmet e vazhdueshme kundër palestinezëve duhet të shërbejnë si shtysë që Indonezia të forcojë fuqinë e saj kombëtare. Ai tha se fuqia e një kombi varet nga aftësia e tij për të qenë i mbështetur në forcat e veta.
Ai gjithashtu theksoi se Indonezia duhet të menaxhojë, mbrojë dhe forcojë veten duke shfrytëzuar në mënyrë efektive burimet e saj natyrore.
Ai theksoi rëndësinë e nxjerrjes së mësimeve nga historia për të siguruar që Indonezia të mos kolonizohet më kurrë.
“Duhet të jemi të vendosur që të mos kolonizohemi më kurrë nga askush. Duhet të jemi të fortë”, tha ai.

