Dëshmitarët e masakrës së Saradanit nga komuna e Istogut janë shprehur të pakënaqur lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila edhe në rigjykim e ka dënuar me 12 vite burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Naim Elshani, dëshmitar tha se ky vendim është qesharak, duke treguar se ende i bart në trup plagët nga tortura që i është bërë.
“Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Ky vendim është qesharak. 12 vite burgim t’i merr një kriminel ku me sytë e mi e pashë në krim, tortura, i përjetova, ku ende sot plagët më kullojnë gjak. Domethënë, është tmerr. Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Po, besoni që mua këtë më kanë pushkatuar serbët dy herë. Sot jam duke u pushkatuar edhe nga, ndoshta edhe nga shqiptarët, nga gjykatat. Domethënë unë nuk kam sigurim, nuk kam mbrojtje, çdo ditë kërcënohem nga njerëzit që nuk ia duan të mirën Kosovës. Unë jeta ime ka qenë në rrezik disa herë. Kam kërkuar mbrojtje nga prokurori, domethënë nuk më ka afruar mbrojtje. Unë edhe me shpenzimet e mia, me qindra herë kam ardhur që pesë vite. Kam kërkuar për transport për dëshmitarë. Nuk vijnë dëshmitarët që janë maltretuar gjatë viteve ’90 deri në vitin 1999. Unë domethënë këtu nuk pajtohem unë me këtë vendim. 12 vite burgim është shumë pak. 12 vite burgim një kriminel lufte me i marrë, kjo është çmenduri. Nuk, nuk ka drejtësi, unë nuk shoh drejtësi. Nuk e di ku është drejtësia. Unë sa di, vuaj pasojat. Unë nuk e di që 27 vite që mundem me i bë 5 minuta gjumë për shkak të dhimbjeve që i kam. Nuk kam çfarë me shtuar unë. Unë ju përshëndes juve mediave, i përshëndes shqiptarët. Nuk kam çfarë me shtuar më shumë”, tha Elshani.
I pakënaqur është shprehur edhe dëshmitari tjetër Ylber Lipa.
“Pavarësisht zgjatjes, tejzgjatjes së procesit, së paku ne katër si dëshmitarë prej 32-ve që jemi sot, jemi të pakënaqur me vendimin, edhe pse e kemi parasysh se ligjet e asaj kohe me të cilat është dënuar, dënimi maksimal është 15 vite. Kjo tregon se është vërtetuar dënimi prej 12 viteve që është bërë në shkallën e dytë pas ankesës së avokatit të kriminelit Bajroviq. Megjithatë, ne duhet të pajtohemi dhe duhet ta krijojmë besimin në gjykatat tona. Aq sa ka paraparë ligji, aq sa ka paraparë gjykata, dhe nuk kemi çfarë të bëjmë.E keqja e gjithë kësaj është mospërkrahja e dëshmitarëve nga shteti. Mosinteresimi i dëshmitarëve që të vijnë, pa marrë parasysh rrethanat me të cilat ne jemi përballur, jo vetëm me shpenzime, por me të gjitha pasojat. Në rastin konkret të Naimit si dëshmitar kryesor, ai përballet me probleme shëndetësore, me pasoja dhe trauma psikologjike, si dhe me të gjitha të tjerat. Shpresojmë që drejtësia, sado me vonesë, do të bjerë në vend. Shpresojmë që shteti ynë sa më shpejt të organizohet, të fuqizohet dhe të mos ndalet në hetimin dhe zbulimin e kriminelëve. Kaq”, tha ai.

